Prishtina e fiton ndeshjen e mbetur, përfundon në vendin e gjashtë

Prishtina e ka fituar ndeshjen e mbetur të stinorit të rregullt në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori”, Prishtina e mposhti Trepçën vendase me rezultatin bindës, 41:28.

Rivalitet kishte në 20 minutat e parë të ndeshjes. Më pas Prishtina nisi shkëputjen për fitore bindëse në fund.

Enis Kuleta i shënoi dhjetë gola për Prishtinën. Nëntë i kishte Egzon Ademi e tetë Altin Cacaj. Me pritje të shumta u dallua Përparim Kuçi.

Te Trepça më efikasi ishte Sali Maxhera me 11 gola. Gjashtë i realizoi Amar Mujka.

Me fitore Prishtina përfundoi në vendin e gjashtë me 19 pikë. Ndërkohë Trepça ra në vendin e shtatë, përkatësisht të parafundit me 18 pikë. Trepça do të paraqitet në ndeshjen e barazhit.