Robert Lulgjuraj, kush është shqiptari që po synon të bëjë histori në Kongresin Amerikan?

“Ka ardhur koha që një shqiptar të jetë pjesë e Kongresit Amerikan”.

Kështu ishte shprehur disa muaj më parë Robert Lulgjuraj, i cili tashmë synon të shkruajë historinë e tij në politikën e Shteteve të Bashkuara.

Prokurori me origjinë shqiptare dhe anëtar i Partisë Republikane ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për Kongres, që të përfaqësojë Distriktin e 10-të të Michigan-it në zgjedhjet e vitit 2026.

Familja Lulgjuraj e ka prejardhjen nga trojet shqiptare në Mal të Zi.

Gjyshërit dhe prindërit e tij emigruan drejt Amerikës në vitin 1960, në kërkim të lirisë dhe për t’i shpëtuar komunizmit dhe persekutimit fetar.

Në vitin 2015, ai u diplomua në Studime Biznesi dhe Shkenca Humane, ndërsa në vitin 2020 përfundoi doktoraturën në drejtësi në “University of Detroit Mercy School of Law”.

Që gjatë viteve të studimit, Lulgjuraj shfaqi një interes të fortë për politikën.

Ai shërbeu si kryetar i të rinjve të Partisë Republikane në qarkun Macomb, ku u dallua për lidership dhe një vizion të qartë për të ardhmen.

Pas përfundimit të studimeve, ai nisi karrierën si avokat në Detroit, duke u përballur me çështje të rënda penale, nga vjedhjet dhe tentativat për vrasje, deri te rastet e trafikimit të narkotikëve.

Më vonë, në rolin e prokurorit në Wayne County dhe Macomb County, Lulgjuraj ka ndjekur mbi 2.000 çështje penale, duke përfshirë dosje të krimit të organizuar dhe raste të dhunës së rëndë.