Vehbi Miftari: Me dekret të Albulena Haxhiut, jam liruar nga detyra e shefit të Misionit në Vatikan

Ish-shefi i Misionit të Kosovës në Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari, ka njoftuar se është liruar nga detyra pas pranimit të dekretit nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Miftari ka shkruar në Facebook se ka qenë nderi jetësor, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan, transmeton Zeri.info.

Shkrimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës!

Ju njoftoj se këto ditë kam pranuar dekretin e u.d. presidentes Haxhiu për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë.

Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim.

Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan.

Sot, kthehem i lumtur që jo vetëm misioni, por edhe marrëdhëniet janë të konsoliduara plotësisht.

Falënderoj Presidenten Osmani për besimin, secilin prej jush për përkrahjen dhe Selinë e Shenjtë për dashurinë me të cilën më mirëpriti e më ofroi bashkëpunim.

Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi.

Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që, në përputhje me dinjitetin tim e me lartësinë e pozitës që kam mbajtur, të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund.

Me përvujtëni,

Vehbi Miftari