Kurti në konferencë akuzon opozitën për bllokadë: Sjellje antishtetërore dhe mosnjohje e vullnetit qytetar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar opozitën për bllokim të institucioneve dhe veprime që, sipas tij, bien ndesh me interesat e shtetit.

Në një deklarim publik, Kurti tha se opozita në Kosovë “nuk ka qëllim tjetër përveç bllokimit”, duke shtuar se sjelljet e saj janë, sipas tij, “kryekëput antishtetërore”.

Ai theksoi se bojkoti i seancave plenare përbën mosnjohje të rezultatit zgjedhor dhe të vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e fundit, transmeton Zeri.info.

“E gjithë kjo bllokadë opozitare përmes bojkotit të seancave plenare nuk mund të quhet ndryshe përveç se mosnjohje e rezultatit zgjedhor dhe vullnetit qytetar”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, dëshmi e kësaj bllokade është edhe qëndrimi i opozitës ndaj çështjeve të tjera, duke përmendur kundërshtimin e pakos ekonomike për përballimin e inflacionit, ku, siç tha ai, pati mobilizim të gjerë, përfshirë edhe Lista Serbe, ndërsa për zgjedhjen e Presidentit opozita nuk po merr pjesë në proces./Zëri