Nismë për ndryshimin e Kodit Penal, burg për ata që s’i respektojnë vendimet e Kushtetueses

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ndërmarrë një nismë për ndryshimin e Kodit Penal.

Në këtë nismë thuhet se kush nuk i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të dënohet me burg.

Qëllimi i nismës së siguruar nga Klan Kosova thuhet se nuk është penalizimi i çdo vonese teknike apo i çdo vështirësie objektive në zbatim.

Siç thuhet, qëllimi është të kriminalizohet refuzimi i qëllimshëm, mosveprimi i pajustifikuar apo shmangia e vetëdijshme nga zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga personat e obliguar për zbatimin e tyre.

“Në një shtet demokratik, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është pika përfundimtare e interpretimit kushtetues. Nëse institucionet lejohen ta relativizojnë, ta vonojnë apo ta injorojnë atë pa përgjegjësi penale, atëherë vetë kushtetutshmëria mbetet pa mekanizëm efektiv mbrojtës. Fusha e dytë ka të bëjë me kriminalizimin e keqpërdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë fushatës zgjedhore apo parazgjedhore”.

“Problemi që synohet të adresohet është praktika kur Qeveria në detyrë, ministritë, komunat apo institucionet e tjera publike përdorin pozitën zyrtare dhe buxhetin publik për të krijuar avantazh politik, përmes ndihmave, subvencioneve, pagesave apo përfitimeve të tjera financiare të shpërndara në mënyrë AdHoc”.

“Ky ndryshim nuk duhet të kuptohet si ndalim i politikave të rregullta sociale, mbështetjes për kategori të cenueshme apo pagesave që burojnë nga ligji, buxheti i miratuar dhe programet ekzistuese. Përkundrazi, qëllimi është të ndalohet përdorimi i parasë publike si instrument elektoral. Pra, të kriminalizohet ajo formë e vendimmarrjes ku ndihma financiare nuk jepet për shkak të nevojës reale publike, por për shkak të kalkulimit politik dhe ndikimit të mundshëm në vote”, thuhet tutje në nismën e IKD-së.