Dyshohen për vepra penale lidhur me shfrytëzimin seksual të fëmijëve, ndalohen dy persona në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale “Materiale me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve”, sipas Nenit 277/I të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Si rezultat i veprimeve të ndërmarra nga prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Prishtinë, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarve, raporton Zeri.info.

“Gjatë hetimeve janë sekuestruar edhe pajisje elektronike, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në procedurën penale. Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në luftimin dhe trajtimin e këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim. /Zëri