Ndalohen edhe dy persona në Ferizaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare, njëri nga ta noter
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit të Shtetit të Departamentit të Krimeve të Rënda, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh një person të dyshuar - noter në komunën e Ferizajt, për shkak të dyshimit të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, si dhe një person për shkak të dyshimit të veprës penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.
Sipas një njoftimi për media, ndalimi i dy të pandehurve në këtë rast është bërë si rezultat i vazhdës së hetimeve që ndërlidhet me rastin paraprak, ku më herët nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, u ndaluan edhe tre persona të tjerë, për shkak të dyshimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurve në këtë çështje penale do të vazhdojë tutje me procedurat dhe veprimet e nevojshme ligjore.