Prokuroria kërkon dënim më të ashpër për të akuzuarit për sulmin ndaj KKZ-së, mbrojtja kërkon lirim
Në Gjykatën e Apelit të martën janë elaboruar ankesa e Prokurorisë Speciale, si dhe ato të mbrojtësve të të akuzuarve në rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ). Prokuroria ka kërkuar ashpërsim të dënimit të të akuzuarve që ishin dënuar nga Themelorja dhe dënimin e Miomir Vakiqit, kurse mbrojtja kërkoi aktgjykim lirues.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 korrik 2025 kishte dënuar Milun Milenkoviqin dhe Aleksandër Vllajiqin me nga 5 vjet burgim, Dejan Pantiq u dënua me 2 vjet burgim, kurse Miomir Vakiq ishte liruar nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit që do të gjykojnë këtë rast ka këtë përbërje, kryetar- gjykatësi Ferit Osmani, gjyqtare referuese, Albina Shabani-Rama, si dhe anëtar gjykatësi Avni Mehmeti.
Shabani-Rama tha se Prokuroria Speciale në ankesën ndaj vendimit të Themelores ka propozuar që ndaj të akuzuarve Milenkoviq, Vlajiq dhe Pantiq të ashpërsohet dënimi, kurse Vakiq të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Kurse, prokurorja nga Prokuroria e Apelit, Sebahate Hoxha-Pepaj tha se mbështetë ankesën e Prokurorisë Speciale lidhur me ashpërsimin e dënimit apo në rast se kolegji e vlerëson, rasti të kthehet në rigjykim.
Nga pala e dëmtuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) thanë se si bashkëngjiten ndjekjes penale dhe paraqesin kërkesë pasurore-juridike.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Milenkoviqit, avokati Miodrag Bërkljaq tha se vendimi i shkallës së parë nuk mund të ekzistojë ligjërisht. Ai tha se Gjykata Themelore nuk ka thënë asnjë fjalë për dashjen dhe asnjë fjalë për bashkëkryerjen si formë e bashkëpunimit kriminal.
Po ashtu, Bërkljaqi tha se me rastin e shpalljes së të akuzuarve fajtorë për veprën penale të terrorizmit, Gjykata nuk ka saktësuar rolet e secilit të akuzuar, apo nëse ka pasur marrëveshje paraprake.
Sipas tij, nuk dihet nëse të akuzuarit janë dënuar në cilësi të qytetarëve të thjeshtë apo si pjesëtarë të Mbrojtjes Civile “Brigada e Veriut”.
Lidhur me dëshmitarin Idriz Idrizi, avokati Bërkljaq tha se të thënat e tij nuk vërtetohet përmes video-incizimeve që mes të akuzuarve ka pasur koordinim paraprak për ndërmarrje të sulmit.
Ankesën për Milenkoviq e elaboroi edhe avokati i dytë i tij, Predag Miljkoviq, duke theksuar se nga ekzanimimi i telefonave të të akuzuarve nuk është gjetur se ata kanë shkëmbyer mesazhe mes vete.
Vetë Milenkoviqi tha se është sportist me profesion duke e lutur trupin gjykues që të mos dënohet sipas tregimeve të dikujt.
Më pas, me elaborim të ankesës vazhdoi mbrojtësi i Vllajiqit, avokati Millosh Deleviq, duke thënë se vendimi i shkallës së parë nuk i bën nder drejtësisë së Kosovës.
Më tej, Deleviqi tha se nuk dihet kush ka marrë eksplozivët nga autoambulanca dhe nuk është vërtetuar se kush i ka gjuajtur ata në drejtim të zyrave të KKZ-së. Kurse, vetë Vllajiqi tha se nuk është fajtor për veprën penale për të cilën është dënuar.
Kujtojmë se Vllajiq më 5 qershor 2026 nga Gjykata Themelore në Prishtinë është shpallur fajtor edhe për veprën penale të spiunazhit, duke u dënuar me 5 vjet burgim pasi kishte pranuar se ishte agjent i BIA-s.
Me elaborim të ankesës, në këtë seancë vazhdoi mbrojtësi i Pantiq, avokati Ljubomir Pantoviq, duke thënë e klienti tij është shpall terrorist nga mediat dhe nga udhëheqësit më të lartë të shtetit, duke shtuar se është befasuar kur i mbrojturi i tij u shpall fajtor edhe nga gjykata.
Gjithashtu, Pantoviq tha se Pantiq në ditën e sulmit kishte të veshur xhaketë të “Ëaikiki”, ndërkaq Prokuroria Speciale ka pretenduar se ajo ishte ushtarake.
Në anën tjetër, i akuzuari Pantiq tha se në ditën kur pretendohet se ka kryer veprën penale të terrorizmit, kishte me vete një qese bukë dhe kishte të veshur një xhaketë të “Ëaikiki” derisa ishte duke shkuar në banesën e tij.
Në fund, mbrojtësi i Vakiq, avokati Dejan Vasiq tha se natyrshëm shtrohet pyetja se pse ndodhet në këtë gjykim. Për këtë, iu përgjigj gjykatësi Osmani, duke i thënë se me ftesë të gjykatës është prezent në këtë gjykim.
I akuzuari Vakiq mungoi në seancë, për të cilin, avokati Vasiq tha se mungon për arsye shëndetësore.
Vasiq tha se prokurori special gjatë hetimeve ka ngatërruar gjithçka edhe përkundër që është special si prokuror.
Në seancën fillestare të mbajtur më 30 janar 2024, të akuzuarit Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën që iu vihet në barrë.
Ndryshe, sipas aktit akuzues thuhet se Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, kishin kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba.
Më 13 dhjetor 2023 PSRK kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës për Pantiq dhe tre të tjerët.
Më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, ndërsa më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak. /BetimipërDrejtësi