Dështon seanca për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë, mungon mbrojtësi i njërit të akuzuar

Për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Naim Berisha, avokatit Naim Rudari, ka dështuar të mbahet seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë të Prishtinës më 26 mars 2024.

Në këtë rast, bashkë me Naim Berishën, akuzohen Ahmet Berisha, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi.

Gjykatësja e rastit, Alltën Murseli tha se avokati Rudari ka njoftuar Gjykatën se vëllai tij ka ndërruar jetë dhe se për arsye të ceremonisë mortore (të pames) nuk mund të jetë i pranishëm në gjykim.

Prezent në sallën e gjykimit ishin prokurori Bashkim Zeqaj, përfaqësuesja e palës së dëmtuar- avokatja Lindita Keqekolla, mbrojtësi i Lum Halimajt, avokati Fanol Krasniqi, mbrojtësi i Ahmet Berishës, avokati Hivzi Bajraktari, si dhe mbrojtësi i Kaltrim Gashit, avokati Naser Sopjani.

Për të akuzuarit që gjenden nën masën e paraburgimit, gjykatësja Murseli tha se ka anuluar urdhëresën për sjelljen e tyre në gjykatë, pasi që ka pranuar njoftimin e avokatit Rudari për mungesën në seancë.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan për në muajin qershor.

Kujtojmë se pas publikimit të raportit nga seanca e 24 prillit 2026 me titull “Edhe miliardat me m’i dhënë, djali jem nuk ngjallet”, ka deklaruar nëna e të ndjerit në rastin e vrasjes së dyfishtë në Kolovicë” i dyshuari Sami Berisha kishte dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese, në drejtim të redaksisë së “Betimi për Drejtësi” dhe gazetarit Betim Musliu. Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 prill 2026 ka ndaluar të dyshuarin për 48 orë.

Gjykimi po mbahet në mungesë ndaj të akuzuarve Naim Berisha dhe Kaltrim Gashi, pasi që të njëjtit ndodhen në arrati.

Më 20 shtator, “Betimi për Drejtësi” ka publikuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës e ngritur ndaj Naim dhe Ahmet Berishës, Lum Halimajt dhe Kaltrim Gashit për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 26 mars 2024 në Kolovicë të Prishtinës, ku viktima mbetën E.H. dhe Z.G.

Sipas aktakuzës, palët e armatosura u përplasën për motive hakmarrjeje të lidhura me tregtinë e narkotikëve, duke shkaktuar edhe lëndime të tjera të rënda. Të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”. Naim Berisha dhe Kaltrim Gashi, ndodhen ende në arrati.