Zerb dhe Rita Ora publikojnë këngën e re “If It’s Not Love”

Producenti brazilian Zerb dhe ylli i popit Rita Ora kanë publikuar sot bashkëpunimin e tyre më të ri, “If It’s Not Love”.

Kënga vjen pas një periudhe intensive për Zerb, i cili pas sukseseve me “Mwaki”, “Addicted” dhe “Location”, ishte përfshirë në një ritëm të ngjeshur turnesh, udhëtimesh dhe pune në studio. Ai ka treguar se vendosi të tërhiqej përkohësisht për të reflektuar dhe për t’u fokusuar në krijimtari, duke kaluar katër muaj mes São Paulos dhe Los Angeles-it.

Sipas tij, “If It’s Not Love” është një nga projektet më të veçanta që ka realizuar deri më tani, duke theksuar se kënga mbart shumë ndjenjë si në tekst, ashtu edhe në produksion.

Bashkëpunimi me Rita Orën nisi në mënyrë spontane, pasi këngëtarja i kishte dërguar një mesazh duke i shprehur pëlqimin për muzikën e tij. Nga ky kontakt, projekti u zhvillua në një këngë të plotë, që tashmë është publikuar për publikun.

Kënga pritet të tërheqë vëmendje të madhe dhe të shndërrohet në një nga hitet e sezonit veror./KultPlus