27 vjet nga masakrat në Poklek dhe Çikatovë

Sot shënohen 27 vjet nga një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë, masakra e kryer në fshatrat Poklek i Vjetër dhe Çikatovë e Vjetër në komunën e Drenasit.

Në këtë ngjarje tragjike, forcat ushtarake serbe vranë dhe masakruan 77 civilë shqiptarë të pambrojtur, trupat e të cilëve më pas u dogjën. Viktimat ishin të të gjitha moshave – nga foshnja vetëm gjashtë muajshe deri te të moshuar rreth 75 vjeç.

Në mesin e të vrarëve kishte fëmijë, të rinj, gra, burra dhe pleq, të cilët u ekzekutuan në mënyrë çnjerëzore, ndërsa disa prej tyre u dogjën pas vrasjes. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada, askush nga ata që urdhëruan apo kryen këtë krim nuk është përballur me drejtësinë.

Vetëm në Poklekun e Vjetër, 53 civilë shqiptarë të paarmatosur u vranë dhe më pas u dogjën, në një akt brutal që mbetet një plagë e hapur dhe një dëshmi e dhimbshme e asaj kohe.