Rizvanolli: Është siguruar financimi për parkun solar me kapacitet minimum 100 MW në KEK

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizavnolli ka thënë se është siguruar financimi i plotë  për parkun solar me kapacitet minimum 100 MW në KEK.

Ajo ka thënë se kjo është bërë me ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale” nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Rizvanolli ka thënë se projekti momentalisht është në fazën e marrjes së lejeve të nevojshme për ndërtim, ndërsa kontrata pritet të nënshkruhet në fund të vitit, e puna do të nis në vitin 2027.

“Parku solar përveç që shënon një moment të rëndësishëm për sigurinë e furnizimit e pavarësinë energjetike të vendit, është edhe hap tejet i rëndësishëm për vetë KEK-un, e ardhmja e të cilit, bashkë me punëtorët e saj, e sigurt si ndërmarrje kyçe e energjisë, moderne e me burime të diversifikuara. I ndërtuar në një sipërfaqe aktualisht të pashfrytëzuar të deponisë së hirit në KEK, kapaciteti i instaluar prej së paku 100 MË, pritet të gjenerojë së paku 152 GWh për vit, duke kontribuuar në diversifikim e modernizim të KEK-ut dhe uljen e emetimeve te dioksidit të karbonit (CO2) prej së paku 140,000 tonë për vit”, ka shkruar ajo, duke falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që votuan  miratimin e marrëveshjes.