Konjufca e fajëson Lajçakun për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, ka fajësuar ish-emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak si pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Konjufca këtë e bëri duke thënë se ishte Lajçaku ai që vendosi kushtin e Asociacionit të Komunave Serbe, për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, transmeton Zeri.info.

“Neve na ka mbetur peng një gjë e vendosur nga një person në mënyrë të palavdishme i cili dha dorëheqje, zoti Lajçak, ai na ka pas vendosur në shpinën tonë një dicka që nuk na takon”, tha Konjufca në konferencë për media, pas takimit me homologun belg Maxime Prévot.

Ai tha se Asociacioni asnjëherë nuk ka qenë parakusht brenda kornizës së KE-së për anëtarësimin e Kosovës, por se këtë sipas tij, e ka bërë Lajçaku.

“Mbajeni në mend, brenda kornizës së KE-së, asociacioni nuk është kriter i anëtarësimit, mund të jetë në procese tjera, por në KE nuk ka qenë. këtë na ka vendosur në shpinë Lajcaku në mënyrë të pandershme. Duhet me na ndihmi miqtë tanë me na heq këtë. Na duhet që ti bindim edhe të tjerët që ta kenë një pozicion si Belgjika që thonë tash dhe këtu duhet të anëtarësohet Kosova”, u shpreh Konjufca. /Zëri