Kapen në flagrancë me drogë, arrestohen dy persona në Shqipëri

Dy persona janë prangosur në Shqipëri, pasi janë kapur në flagrancë nga policia për posedim dhe shitje të substancave narkotike.

Njëri prej të arrestuarve është një 30-vjeçar nga Tirana, i kapur duke shitur kokainë.

Kurse, tjetri është 19-vjeçar nga Kruja, të cilit i është gjetur marihuanë në banesë, që e posedonte për shitje.

Policia e Shtetit ka njoftuar se lëndët narkotike janë sekuestruar, si dhe telefonat e një automjet.

“Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në rrugën “Mine Peza”, automjetin që drejtonte 30-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën sasi të lëndës së dyshuar narkotike Kokainë. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën ku ai jetonte me qira, u gjet sasi tjetër e lëndës së dyshuar narkotike Kokainë, që 30-vjeçari e posedonte më qëllim shitjen.  Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e 19-vjeçarit, gjetën 256 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që dyshohet se ky shtetas e posedonte me qëllim shitjen në qytetin e Krujës.”, thuhet në njoftim.