Nagavci: Heshtja nuk shëron, shteti ka përgjegjësi të plotë ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, deklaroi se kjo ditë nuk duhet të mbetet vetëm në kuadër të fjalimeve dhe gjesteve simbolike, por duhet të shërbejë si dëshmi konkrete se shteti mban përgjegjësi të plotë përballë të mbijetuarve të dhunës seksuale, raporton Ekonomia Online.

Nagavci tha se qëllimi i Serbisë  gjatë luftës ishte i qartë, por nuk ia dolën e as nuk do të ia dalin sepse të mbijetuarit e dhunës seksuale, u bënë zë i shumë të tjerëve.

 

“Sot kur po shënojmë 14 prillin, këtë ditë të rëndësishme memoriale, jemi mbledhur bashkë këtu në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jo vetëm për të shënuar këtë ditë me moton ‘Më kthe dritën’, por edhe që përveç fjalimeve e gjesteve simbolike të dëshmojmë se shteti ka përgjegjësi ndaj të mbijetuarve dhe viktimave të dhunës seksuale. Ka përgjegjësi jo vetëm ligjore e institucionale, por ka edhe përgjegjësi njerëzore. Unë flas sot jo vetëm si politikane, por flas edhe si një grua e cila e di që heshtja nuk shëron e as nuk mbyll plagë. Flas edhe si përfaqësuese e një subjekti politik i cili që nga fillimi i angazhimit të saj ka vendosur që kjo temë të mos mbetet në margjinë. Sepse dua të ritheksoj se Lëvizja Vetëvendosje qëkur është futur në parlament në mandatin e saj të parë e ka ngritur zëshëm këtë temë. Pas përpjekjeve të vazhdueshme u njoh ligjërisht kategoria e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia e përdori dhunën seksuale si armë lufte. Ky është një fakt i dokumentuar nga raportet vendore e ndërkombëtare, dëshmitë e mijëra të mbijetuarve dhe aktgjykimet e drejtësisë. Dhunimi seksuale gjatë luftës përbën një krim të rëndë dhe një strategji të qëllimshme të përdorur nga Serbia me synim nënshtrimin, frikësimin dhe dëmtimin e strukturës shoqërore të popullsisë civile. Pra, qëllimi ishte i qartë: të poshtërohet populli, të thyhet fryma e tij, të shkatërroheshin lidhjet familjare dhe komunitare. Por nuk ia dolën e nuk do t’ia dalin asnjëherë. Sepse ju mbijetuat. Ju ishit zëri i shumë të tjerëve që ndoshta akoma nuk janë shprehur hapur dhe tani është radha e institucioneve, e jona si përfaqësues dhe e shoqërisë, të tregojmë se jemi në lartësinë e asaj mbijetese. Realiteti i gjithë gjenocidit që e kreu Serbia në Kosovë mbetet pjesë e pandashme e kujtesës sonë kolektive dhe e kërkesës për drejtësi. Të nderuar të pranishëm, kur flasim për këtë kategori kaq të ndjeshme detyra jonë si institucione dhe si shoqëri është në dy drejtime. Përgjegjësia institucionale ka marrë një dimension të veçantë në vitet e fundit. Republika e Kosovës ka avancuar në ndërtimin e mekanizmave për njohjen dhe mbështetjen e të mbijetuarve, duke përfshirë konsolidimin e procesit të njohjes dhe verifikimit të statusit të të mbijetuarve, rritjen e pensionit të kësaj kategorie”, tha Nagavci.