Hamza: Lufta nuk përfundon me heshtjen e armëve, por me drejtësinë për viktimat
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë një fjalimi të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, theksoi nevojën për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai shtoi se shumë prej këtyre viktimave, gra dhe burra, ende presin që autorët e krimeve të përballen me ligjin.
“ Gjatë etapave të ndryshme të historisë, shpesh është thënë se lufta nuk përfundon me heshtjen e armëve, por vetëm kur drejtësia arrin tek ata që mbetën me plagët e saj.Sepse lufta, përtej asaj që ndodh gjatë kohës kur ajo zhvillohet, vazhdon në jetët e qytetarëve, në kujtesën e një populli, në plagët që nuk shihen, por që nuk shërohen pa drejtësinë për to. Prandaj, sot, përveç që kujtojmë, jemi mbledhur edhe për të folur. Për të dëshmuar. Për të kërkuar drejtësi. Në Kosovë, ka mijëra gra dhe burra të mbijetuar të dhunës seksuale nga lufta që ende presin drejtësi. Ndërkohë që shumë pak, apo një numër i papërfillshëm i autorëve të këtyre krimeve janë përballur me ligjin. Prandaj, përveçse një çështje tejet e rëndësishme dhe e ndjeshme shoqërore, është një çështje që pret drejtësinë dhe prek ndërgjegjen ndërkombëtare. Sepse, deri sa ne po flasim edhe për këtë temë sot këtu, jemi dëshmitarë të një procesi të padrejtë gjyqësor që po vazhdon tash e gati gjashtë vjet ndaj atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Sot, më shumë sesa me fjalë, është e rëndësishme të flasim me kujtesë, për të vërtetën dhe me një guxim që nuk u thye kurrë”, tha Hamza.
AI tha se ajo që ndodhi në Kosovë nga shteti serb ishte krim i paramenduar dhe strategji territori.
“Jemi këtu, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për të nderuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, gra dhe burra që përjetuan një nga krimet më të rënda, të cilët përkundër sfidave zgjodhën të qëndrojnë dhe të ngrihen për t’i denoncuar krimet ndaj tyre. Ajo që ndodhi gjatë luftës nuk ishte rastësi. Nuk ishte as kolateral lufte. Ishte një krim i paramenduar nga shteti serb. Ishte strategji terrori dhe përpjekje për ta thyer shpirtin e një populli të tërë. Por, ja ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe të pavarur, që ta themi me kokën lartë, me krenari të madhe dhe me zë të lartë, ata dështuan. Dështuan, sepse populli ynë nuk u thye. Gratë dhe burrat e Kosovës nuk e dorëzuan për asnjë moment dinjitetin e tyre”, tha Hamza.