Gola: Në seancën e së premtes në rend dite do të jetë edhe Projektligji për Byronë
Nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, tha se pati pajtim nga Kryesia e Kuvendit që në seancën e së premtes në rend të ditës të futet Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
“Sot nuk patëm diçka shumë specifike, përjashtimisht faktit që seancën e kemi caktuar të premten në ora 10:00. Arsyeja pse nuk u vendos për të enjten, që është rëndom praktikë parlamentare, konsiston në faktin që ishim një ditë me vonesë në mbajtjen e mbledhjes së kryesisë dhe për shkak se rregullorja në mënyrë shprehimore e përcakton afatin dyditor prej mbledhjes së kryesisë, respektivisht prej ndarjes së materialeve për deputetët e deri te seanca plenare e radhës, u deshëm që të shtyjmë për të premten ose të shkojmë me seancë të jashtëzakonshme. Po, patëm dakordim edhe me nënkryetarët e grupeve parlamentare dhe të premten në orën 10:00 do të kemi seancën plenare të radhës, ku si pika më të veçanta janë projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, edhe vendimin e Qeverisë për dërgimin e forcave të sigurisë në Gazë. Pikat tjera janë çështje më shumë të brendshme të Kuvendit, nuk ka diçka tjetër specifike”, tha ai.