MINTI: 1500-5000 euro gjobë për secilin njehsor me afat të skaduar

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se Inspektorati ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 1500 deri 5000 eurove për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë.

Në një njoftim për media, MINTI ka bërë të ditur se gjatë verifikimeve pas ankesave të konsumatorëve për devijim të orëve në njehsorë, janë hasur edhe të tillë me afat të skaduar.

“Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji (neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2), ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5.000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë”, thuhet në njoftim të MINTI-t.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

MINTI shqipton gjoba ndaj KEDS-it për njehsorët me afat të skaduar të verifikimit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pas ankesave të pranuara nga konsumatorët, ka intensifikuar aktivitetet në terren përmes Komisionit Verifikues për njehsorët elektrikë.

Gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë, është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë. Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji (neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2), ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë.

MINTI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe trajtimin me prioritet të çdo ankese të adresuar në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Me qëllim të lehtësimit të raportimit të parregullsive në treg, nga sot është funksionalizuar edhe një numër mobil për pranimin e ankesave. Qytetarët mund të adresojnë ankesat e tyre në çdo kohë, përfshirë ditët e vikendit dhe festat, edhe përmes platformës Viber.

Numri për pranimin e ankesave:

+383 (0) 46 311-000