Kurti: Masakrat në Kosovë, dëshmi e gjenocidit – drejtësia mbetet detyrim i domosdoshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Krushës së Madhe, Krushës të vogël, të Suharekës, Padalishtës, Landovicës dhe Gjakovës.
I pari i qeverisë ka thënë se këto vrasje e zhdukje me dhunë janë dëshmi e fuqishme e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
“Këto vrasje e zhdukje me dhunë janë dëshmi të fuqishme të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Përballë këtyre krimeve, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: të vihet në vend drejtësia si imperativ moral, juridik dhe historik. Si Republikë, kemi përgjegjësi të dyfishtë: ndaj së kaluarës dhe ndaj së ardhmes. Ndaj së kaluarës, duke dokumentuar e kërkuar llogari për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ndaj së ardhmes, duke u angazhuar për paqe të qëndrueshme, për jetë më të mirë të brezave të rinj, e për ata të cilët do të vijnë pas nesh”, ka shkruar Kurti.
Ai tutje ka shtuar se institucionet po angazhohen për Republikën e Kosovës, që sipas tij kanë qenë idealet e dëshmorëve e martirëve.
“Si institucione e si qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë për Republikën tonë, ashtu siç ishin idealet e dëshmorëve e martirëve, ashtu siç janë dëshirat e rinisë e ëndrrat e fëmijëve tanë. Me zemrat e mbushura plot dashuri, respekt dhe krenari, përkulemi sot e gjithmonë para kujtimit të të gjithë të vrarëve tanë. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka shtuar ai.