Pas dorëheqjes së Avdylit, “Guxo”: S’përfshihemi në debate të ulëta dhe as në linçime publike
Partia "Guxo" ka konfirmuar se deputeti Haxhi Avdyli ka dhënë dorëheqje nga kjo parti, duke theksuar se vendimi i tij është pranuar nga kryesia e subjektit politik.
Në një komunikatë për media, "Guxo" bëri të ditur se për dorëheqjen e Avdylit kanë marrë vesh përmes mediave dhe rrjeteve sociale.
“Nga media dhe nga rrjetet sociale kemi kuptuar se deputeti Haxhi Avdyli paska dhënë sot dorëheqje nga partia 'Guxo'”, thuhet në reagimin e partisë.
Sipas komunikatës, kryesia e partisë e ka pranuar dorëheqjen e tij dhe e konsideron atë si një vendim të vullnetshëm.
“Kryesia e partisë 'Guxo' e pranon këtë dorëheqje dhe e sheh si të drejtën dhe zgjedhjen e tij të vullnetshme dhe të pakontestueshme”, thuhet më tej në reagim.
Partia "Guxo" ka falënderuar deputetin Avdyli për kontributin e dhënë gjatë angazhimit të tij në këtë subjekt politik.
“Në të njëjtën kohë, në emër të anëtarësisë dhe përkrahësve, partia 'Guxo' e falënderon deputetin Avdyli për rrugëtimin e përbashkët të derikëtushëm si dhe kontributin që ka dhënë për partinë 'Guxo'”, theksohet në komunikatë.
Po ashtu, nga kjo parti i janë uruar suksese Avdylit në angazhimet e tij të ardhshme.
“Si kryesi e partisë 'Guxo' i dëshirojmë shëndet dhe elan për punë të mbara e shumë suksese në angazhimet e ardhshme profesionale”, thuhet në reagim.
Në fund të komunikatës, partia 'Guxo' ka reaguar edhe ndaj pretendimeve për motivet e dorëheqjes së Avdylit, duke theksuar se nuk është e përfshirë në sulme apo linçime publike.
“Për shkak të disa pretendimeve për motivet e dorëheqjes, e ndjejmë obligim të konfirmojmë se askush nga partia 'Guxo' nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet as në debate të ulëta dhe as në linçime publike të askujt e aq më pak të Presidentes së Republikës”, thuhet në reagim.