Haradinaj: Epopeja e UÇK-së, kujtesë për sakrificën e heronjve të lirisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënien e komandantit legjendar Adem Jashari.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka theksuar se Epopeja e UÇK-së është e skalitur në kujtesën kolektive të popullit, duke nderuar heronjtë, dëshmorët, invalidët e luftës dhe të pagjeturit.

“Epopeja e UÇK-së është e skalitur me emrat e heronjve, dëshmorëve e martirëve tanë…”, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo datë kujton sakrificën e familja Jashari dhe luftën për liri.

Haradinaj theksoi se komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij “i dhanë fundin armikut, duke çuar në vend amanetin e patriotëve të të gjitha kohërave”.

“Lavdi familjes emblematike Jashari, lavdi të rënëve ndër breza dhe luftës së UÇK-së”, thuhet në postim.