Ministria e Mbrojtjes mohon pretendimet për përjashtim të OVL-UÇK-së nga Këshilli Organizativ të Epopesë së UÇK-së
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për të sqaruar se pretendimet se përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë në Këshillin Organizativ për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së janë të pasakta dhe të pabazuara.
Me Vendimin Nr. 01/02, datë 20.02.2026, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, i cili kryesohet nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe bashkëkryesohet nga Andin Hoti, ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare. Në vendim parashihet shprehimisht përfaqësimi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së si pjesë përbërëse e këtij këshilli.
Sot është dërguar ftesë zyrtare përfaqësuesit të OVL-UÇK për pjesëmarrje në Këshillin Shtetëror, ndërsa takimi inicues i këshillit do të mbahet nesër në ora 13:00.
Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e Republikës së Kosovës theksojnë përkushtimin e tyre për një bashkëpunim gjithëpërfshirës, transparent dhe institucional, në funksion të organizimit dhe shënimit dinjitoz të kësaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë kombëtare.
Shënimi i 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së do të realizohet në frymën e unitetit, respektit dhe mirënjohjes për sakrificën e dëshmorëve dhe kontributin e të gjithë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.