AKB-ja alarmon: Vendimi për pagën minimale u mor pa dialog dhe po shtyn bizneset drejt informalitetit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar lidhur me vendimin për rritjen e pagës minimale, duke vlerësuar se përmirësimi i mirëqenies së punëtorëve dhe rritja e pagës minimale janë qëllime të drejta dhe të nevojshme për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.
Megjithatë, AKB-ja shpreh shqetësim për mënyrën se si është marrë ky vendim, duke theksuar se ai është miratuar pa dialog me sektorin privat, pa konsultime paraprake dhe pa një analizë të plotë të ndikimit financiar, veçanërisht për mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla, të cilat përbëjnë shumicën e ekonomisë së Kosovës.
Sipas AKB-së, mungesa e një analize gjithëpërfshirëse rrit rrezikun që një pjesë e bizneseve, të paafta për të përballuar kostot shtesë, të shtyhen drejt informalitetit, duke cenuar vetë qëllimin e deklaruar të këtij vendimi.
“Ne nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, por kërkojmë që vendime të tilla të rëndësishme të merren përmes dialogut social, në bashkëpunim me përfaqësuesit e biznesit dhe sindikatat, dhe të shoqërohen me masa lehtësuese fiskale apo mbështetëse, sidomos për bizneset e vogla”, thuhet në reagimin e AKB-së.
Në të njëjtën kohë, Aleanca shpreh indinjatë që edhe në këtë rast veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë apo trajtuar me politika të veçanta mbështetëse, pavarësisht rolit dhe sakrificës së tyre për lirinë e vendit, duke theksuar se çdo reformë sociale dhe ekonomike duhet të reflektojë drejtësi dhe ndjeshmëri ndaj kësaj kategorie.
AKB-ja i bën thirrje Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të rihapë dialogun me sektorin privat dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që rritja e pagës minimale të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme dhe pa pasoja negative për ekonominë formale.