68 mijë të papunë në Shqipëri, ekspertja: Mospërputhja mes aftësive dhe kërkesave të tregut, sfida më e madhe
Edhe pse numri i të papunëve ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, mbi 68 mijë persona vijojnë të jenë në kërkim të një vendi pune. Të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive tregojnë se sfida kryesore nuk është mungesa e vendeve të punës, por mospërputhja mes aftësive të punëkërkuesve dhe kërkesave të tregut.
“Kjo shpjegohet për faktin që një pjesë e mirë e të diplomuarve nuk plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e kërkesave të sektorit privat, në fakt, por edhe sektorit publik. Nga ana tjetër, niveli i pagave nuk përkon me atë çka të diplomuarit kanë si pritshmëri të tyre dhe pikërisht kjo, ndoshta, mungesa e dëshirës për ato sektorë që kanë kërkesë pune, bën që një pjesë e mirë e të papunëve të mbeten përsëri të papunë, pavarësisht se ka kërkesa në tregun e punës”, tha ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi.
Ndërkohë, për eksperten, sektorët që po kontribuojnë më së shumti në përthithjen e kapitalit njerëzor janë pikërisht ata që po kontribuojnë në rritjen ekonomike.
“Në Shqipëri janë pikërisht sektori i ndërtimit, sektori i turizmit dhe sektorët që kanë lidhje me tregtinë, të cilët kanë edhe kërkesë të shtuar për punonjës”, tha ajo.
Ekspertja rendit një sërë grupimesh mes punëkërkuesve.“Të diplomuar, të sapodiplomuar, të cilët kanë aftësi teorike, jo praktike, nuk kanë eksperiencë pune dhe ndaj nuk përkojnë, pikërisht, nuk janë konkurrues në tregun e punës. Individë të cilët nuk kanë aftësi teknologjike, është shumë e rëndësishme, sepse mund të kenë eksperiencë pune, por nuk kanë aftësi teknologjike”, renditi ajo.
Ndërkohë, Radonshiqi vëren një rikthim të pensionistëve në tregun e punës.
“Dikur ka qenë mosha, por sot po shohim rikthimin e pensionistëve si profesionistë të lirë, si nga nevoja që ata kanë për të qenë pjesë e tregut të punës për shkak të nivelit të ulët të pensioneve, por edhe nga nevoja që ka vetë tregu i punës për individë të kualifikuar”, tha ajo.
Përveç kësaj, plakja e fuqisë punëtore është një sfidë madhore, ku 47% e punëkërkuesve janë mbi 45 vjeç, me një përqendrim të lartë prej 24,261 individësh mbi 50 vjeç, të cilët kanë nevojë për rikualifikim për t’u përshtatur me kërkesat e reja teknologjike./rtsh