Kurti bën homazhe në Dubovik në 45-vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës
Me rastin e 45-vjetorit të vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Presidenten Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të freskëta te varret e Jusuf e Bardhosh Gërvallës në fshatin Dubovik.
Në këtë përvjetor, Kryeministri Kurti tha se përmes këtyre nderimeve kujtohen patriotë të jashtëzakonshëm dhe veprimtarë të paepur, të cilët u flijuan për lirinë dhe shtetin që Kosova e gëzon sot.
Ai theksoi se edhe para suprimimit të autonomisë, shqiptarët kishin personalitete të jashtëzakonshme që sakrifikuan gjithçka për çështjen kombëtare, duke përmendur si dëshmi demonstratat e shumta dhe persekutimin e ish-të burgosurve politikë nën Jugosllavi dhe Serbi.
Kurti kujtoi se vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës ndodhi më pak se një vit pas demonstratave të vitit 1981, në një kohë kur organizatat ilegale shqiptare po bashkoheshin dhe po merrte hov organizimi për Republikën e Kosovës dhe çlirimin e popullit shqiptar.
Duke folur për figurën e Jusuf Gërvallës, Kryeministri tha se ai, përveçse patriot, ishte edhe publicist, poet, shkrimtar, gazetar dhe intelektual, veprimtaria artistike dhe kulturore e të cilit u ndërpre dhunshëm me vrasjen e tij.
“Së bashku me veprimtarinë politike, u humb edhe një trashëgimi e çmuar artistike e kulturore, e cila nuk pati mundësi të zhvillohej më tej”, tha Kurti.
Në fund, Kryeministri theksoi se progresi, siguria dhe faktorizimi i shtetit të Kosovës dhe i kombit shqiptar sot janë dëshmi se sakrificat dhe flijimet e bëra ndër vite kanë pasur kuptim dhe vlerë.
“Lavdi Jusufit, Bardhoshit, Kadriut dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar”, përfundoi ai./Zëri