Hansi Flick konfirmon: Yamali gati për finalen e Superkupës ndaj Real Madridit
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka konfirmuar se Lamine Yamal është plotësisht i gatshëm për të startuar në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Real Madridit, që luhet të dielën.
Talenti 18-vjeçar nuk ishte në gjendje të niste nga minuta e parë në gjysmëfinalen kundër Athletic Bilbaos për shkak të një shqetësimi fizik, duke u aktivizuar vetëm në pjesën e dytë. Megjithatë, Yamal ka stërvitur normalisht me ekipin në prag të “El Clasicos” dhe pritet të rikthehet në formacionin titullar.
“Po, të gjithë lojtarët janë gati për të qenë pjesë e ekipit. Është shumë mirë t’i kemi të gjithë me ne”, u shpreh Flick në konferencën për shtyp para ndeshjes, duke konfirmuar gjendjen e mirë fizike të Yamal.
Sipas pritshmërive, Yamal mund të zëvendësojë Roony Bardghji në 11-shen startuese, ndërsa kjo mund të jetë edhe e vetmja ndryshim nga formacioni që u paraqit ndaj Athletic.
Forma e tij këtë sezon ka qenë mbresëlënëse: 9 gola dhe 11 asistime në 22 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
Barcelona do të jetë pa Gavi, Marc-André ter Stegen dhe Andreas Christensen për shkak dëmtimesh, por pjesa tjetër e skuadrës është në gjendje të shkëlqyer për finalen e madhe. Flick theksoi rëndësinë e ndeshjes dhe besimin te skuadra e tij:
“Një finale është gjithmonë speciale, e sidomos kundër Real Madridit. Ne jemi Barcelona dhe duam të fitojmë gjithçka. Ekipi është shumë i fokusuar dhe besojmë se mund ta fitojmë titullin.”
Barcelona vjen në këtë përballje me një seri prej nëntë fitoresh radhazi në të gjitha garat dhe nuk ka humbur në kompeticionet vendase që nga fundi i tetorit – humbje që erdhi pikërisht ndaj Real Madridit. Të dielën, me Lamine Yamal nga minuta e parë, katalanasit synojnë revanshin dhe trofeun.