Reshjet e shiut, Komuna e Malishevës apel qytetarëve për kujdes: Mos dilni pa nevojë!
Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, edhe komuna e Malishevës është goditur nga vërshimet.
Nga kjo Komunë kanë bërë apel te qytetarët të mos lëvizin pa nevojë, për shkak të situatës së rënduar pas reshjeve të shiut, shkruan Zeri.info.
“Shtabi Emergjent për menaxhimin e situatave emergjente u bën apel të gjithë qytetarëve të Komunës së Malishevës që të shmangin lëvizjet e panevojshme, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë i Komunës së Malishevës, pa ndërhyrje:
Apel: Gjendje e rënduar për shkak të reshjeve – Mos lëvizni pa nevojë!
Shtabi Emergjent për menaxhimin e situatave emergjente u bën apel të gjithë qytetarëve të Komunës së Malishevës që të shmangin lëvizjet e panevojshme, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera.
“Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative”.
Të gjitha ekipet emergjente janë në terren dhe po angazhohen intensivisht për menaxhimin e situatës. /Zëri