Gjashtë tifozë të Sileksit me padi penale për thirrje nacionaliste në ndeshjen kundër Shkupit

Gjashtë tifozë të klubit Sileksi nga Kratova do të përballen me padi penale për shkak të thirrjeve nacionaliste gjatë ndeshjes së javës së 13-të të Ligës së Parë të Maqedonisë, kundër skuadrës së FC Shkupit, njofton Telegrafi.

Ministria e Punëve të Brendshme ka përfshirë rastin në buletinin e saj ditor, duke njoftuar se në stadiumin e qytetit të Kratovës janë regjistruar thirrje fyese dhe me përmbajtje nacionaliste nga ana e tifozëve vendas. Sipas njoftimit të MPB-së, ndaj gjashtë personave do të ngritet kallëzim penal për sjellje të papërshtatshme në tribunat e stadiumit të Kratovës.

“Sipas konstatimeve të policisë, më 10 nëntor 2025, gjatë dhe pas ndeshjes mes Sileksit nga Kratova dhe Shkupit nga Shkupi, disa tifozë vendas kanë shkelur Ligjin për parandalimin e dhunës dhe sjelljes së pahijshme në ngjarje sportive. Bëhet fjalë për personat S.Ç. (31), S.D. (28), D.I. (29), M.T. (28), S.P. (27) dhe T.K. (45), të gjithë nga Kratova, të cilët janë identifikuar si autorë të thirrjeve fyese dhe nacionaliste. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ndërmerren masa ligjore përkatëse”, thuhet në raportin zyrtar të Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë, në aspektin sportiv, Sileksi arriti fitore bindëse me rezultat 5-1 ndaj Shkupit, që po kalon një sezon të vështirë dhe deri më tani mbetet jashtë çdo gare për kreun e tabelës dhe mbetje në elitën e futbollit.