Restaurohet një nga xhamitë më të vjetra të Prishtinës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se po vazhdojnë me intensitet punimet restauruese në xhaminë “Sudi Efendi”, një nga monumentet me vlera të veçanta historike dhe artistike në kryeqytet.

Sipas MKRS-së, ndërhyrjet po bëhen me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së këtij objekti që përbën një simbol të trashëgimisë kulturore të Prishtinës.

“Me arkitekturën e saj karakteristike dhe elementet prej druri, Xhamia Sudi Efendi mbetet një nga simbolet e trashëgimisë kulturore të Prishtinës, që MKRS-ja po investon me përkushtim për ta ruajtur për brezat që vijnë”, thuhet në njoftim.

Xhamia ndodhet në zemër të qytetit dhe po restaurohet si pjesë e programit të Ministrisë për mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore në mbarë vendin.