Çfarë do të thotë emri Evropë dhe nga vjen ai?
Evropa, një nga kontinentet më të rëndësishme dhe të vjetër të botës, ka një emër me origjinë të diskutueshme, që përfshin elementë nga mitologjia, gjeografia dhe gjuhësia e lashtë.
Sipas shumë studiuesve, fjala “Evropë” mund të vijë nga fjalët greke eurys (i gjerë) dhe ops (fytyrë/sy), duke e përkufizuar si “shikim i gjerë”, një përshkrim simbolik i kontinentit nga perspektiva e detarëve grekë citon Britanica.
Një tjetër teori sugjeron se emri rrjedh nga fjala akadiane erebu, që do të thotë “perëndim dielli”. Kjo teori mbështetet nga fakti që, për popujt e Mesopotamisë, Evropa ndodhej në drejtimin ku perëndonte dielli.
Sipas një prej miteve më të njohura, Evropa ishte një princeshë fenikase e rrëmbyer nga Zeusi, i cili mori formën e një demi. Miti përfundon me vendosjen e saj në një tokë të largët që më pas mori emrin e saj, Evropa.
Pavarësisht nga origjina e saktë, emri Evropë mbart një simbolikë të thellë që lidhet me ndryshimet kulturore, zhvillimin e qytetërimeve dhe perceptimet historike të botës./rtsh