Të panjohurat e gjeniut, 20 fakte për Albert Einstein
Albert Ajnshtajn është shkencëtari më i zgjuar që ka jetuar ndonjëherë. Një prej arritjeve që ktheu faqen e historisë së shkencës ishte ekuacioni E=mc2. Ai fitoi çmimin “Nobel” në vitin 1921 për punën në lidhje me efektin fotoelektrik.
Ai zhvilloi Teorinë e Relativitetit, të cilën e kishte përfunduar me kohë, por u deshën 25 vite që të tjerët ta kuptonin. Siç ndodhi së fundmi edhe me valët gravitacionale që u pranuan sot zyrtarisht nga shkenca, dhe që u konsiderua si “zbulimi më i madh shkencor i shekullit”.
Albert Ajnshtajni foli për ekzistencën e valëve gravitacionale 100 vjet më parë. Ajnshtajni parashikoi se nëse graviteti apo forca e rëndesës në një zonë të universit ndryshon befas si pasojë e një evenimenti të dhunshëm kozmik, si shpërthimi i një ylli, apo në këtë rast përplasja e dy vrimave të zeza, krijohen valë gravitacionale që përhapen me shpejtësinë e dritës në të gjithë universin duke deformuar kohën dhe hapësirën gjatë lëvizjes së tyre.
Kontributi i tij ndryshoi radikalisht pikëpamjen e botës. Para Ajnshtajnit, disa gjëra besoheshin si të vërteta. Mes tyre ishin dhe ligjet e gravitetit dhe trupave në rënie, të përmendur më parë nga Isak Njutoni.
Gjithashtu në atë kohë besohej se “koha” në vetvete ishte një konstante fizike: Të gjithë dhe gjithçka përjetonte kalimin e kohës ashtu si kushdo dhe gjithçka tjetër. Teoria e tij e Relativitetit special parashikonte se kjo s’ishte e vërtetë dhe më vonë u vërtetua nga eksperimentet me orën bërthamore.
Emri Ajnshtajn sot është sinonim me fjalën gjeni. Albert Ajnshtajn është një prej mendjeve më të mëdha të shekullit të 20-të. Disa prej ideve të tij për shkencën, natyrën dhe besimi mund t’ju habisin. Jo më kot është zgjedhur “Personi i Shekullit” nga revista “Time”.
Por, a e dinit se Ajnshtajni ka lindur me një kokë kaq të madhe sa mamaja e tij mendonte se mos kishte lindur i deformuar? Apo se kishte një fëmijë sekret që para se të martohej? Apo që u përjashtua nga shkolla? Apo që fizikanti i madh ka shkelur tokën shqiptare?
1- Ajnshtajni ishte një bebe e shëndoshë me një kokë të madhe
Kur nëna e Albertit, Pauline, e lindi, koka e tij ishte kaq e madhe dhe e shtrembëruar, sa ajo kujtonte se mos ishte i deformuar. Ngaqë fundin e kokës e kishte shumë të madhe, familja mendoi mos ishte monstër. Megjithatë, ndërsa javët kalonin ata e kuptuan se ishte një fëmijë gati normal me të tjerët. Thuhet se gjyshja e tij ka klithur “është i shëndoshë, është i shëndoshë”, kur e ka pritur të lindte. Ndryshe nga përshtypja e parë, Alberti u rrit normalisht, vetëm se ishte pak i ngadaltë.
2- Ajnshtajni kishte vështirësi në të folur
Kur ishte fëmijë, Ajnshtajni fliste rrallë. Kur e bënte, fliste shumë ngadalë. E mendonte të gjithë fjalinë në kokë dhe e pëshpëriste para se ta thoshte. Këtë e bëri rregullisht deri në moshën 9-vjeçare. Prindërit trembeshin mos ishte i vonuar, por sigurisht më vonë doli se frika e tyre ishte pa baza. Kjo është quajtur sindroma e Ajnshtajnit.
3- Kur Ajnshtajni foli për herë të parë
Një historian ka krijuar një barsoletë. Prindërit e tij ishin të shqetësuar se nuk fliste fare. Kur një mbrëmje foli dhe tha “Supa është e nxehtë”, prindërit e pyetën pse nuk kishte folur më parë. Ai i përgjigjet: Sepse deri tani gjithçka ishte në rregull.
4- Ajnshtajni është frymëzuar nga një busull
Kur Ajnshtajni ishte pesë vjeç dhe i sëmurë në shtrat, babai i tregoi diçka që i ndezi interesin në shkencë: Një busull. Ndërsa qëndronte i shtirë, babai i nxori një busull të thjeshtë xhepi. Ajo që i interesonte Ajnshtajnit të ri ishte se sa herë që kutia ndërronte pozicion, gjilpëra kthehej në të njëjtin drejtim.
Ai mendoi se duhet të kishte ndonjë forcë në atë që konsiderohej si hapësirë boshe që e bënte gjilpërën të lëvizte. Ky incident i zakonshëm në shumë “fëmijëria të famshme”, është përmendur shpesh në shumë rrëfime të jetës së tij.
5- Ajnshtajni ngeli në provimin e hyrjes për në kolegj
Në vitin 1895, në moshën 17-vjeçare, Albert Ajnshtajn aplikoi për të hyrë në Shkollën Politeknike Federale Zvicerane (Eidgenössische Technische Hochschule). Ai kaloi provimin e matematikës dhe të shkencës tek provimi i hyrjes, por ngeli tek të tjerat.
Ndër lëndët ku nuk shkonte mirë ishte historia, gjuhët e huaja, gjeografia dhe të tjera. Ajnshtajni duhet të regjistrohej në një shkollë tregtare para se ta ribënte provimin dhe më në fund u pranua tek i njëjti universitet një vit më vonë.
6- Ajnshtajni kishte një fëmijë të paligjshëm
Në vitin 1980, letrat private të Ajnshtajnit kanë zbuluar diçka të re për gjeniun. Kishte një vajzë të paligjshme me ish-studenten Mileva Mariç, të cilën më vonë u martua. Në vitin 1902, një vit para martesës, Mileva lindi në familjen e prindërve në Berne, një vajzë me emrin Lieserl, të cilën Ajnshtajni kurrë nuk e pa dhe për të cilën nuk dihet gjë.
Ajo është pagëzuar dhe jetoi me familjen e Milevës. Më vonë ajo thotë se vdiq nga ethet në shtator, 1903. Në korrespondencën e çiftit shkruhet se është dhënë për birësim pasi ka lindur. Në letrën e 19 shtatorit, 1903, Lieserl Einstein-Maric përmendet për herë të fundit.
7- Kur përjashtohej nga shkolla
Ajnshtajni ishte i ngadaltë në procesin e të folurit. Madje prindërit e tij janë konsultuar dhe me një doktor. Ai madje ka patur një rebelim “të paturp” ndaj autoriteteve, që bëri që drejtori i shkollës ku ai studionte ta përjashtonte nga shkolla dhe të shprehej rreth tij se ai nuk do të mund të arrinte shumë në jetë.
Por këto karakteristika bënë që ai të bëhej një gjeni. Mospërfillja dhe përbuzja e tij ndaj autoritetit bënë që ai të vinte në dyshim njohuritë tradicionale. Zhvillimi i tij i ngadaltë verbal, bëri që ai të bëhej kurioz për gjërat e zakonshme – si koha dhe hapësira – që pjesa më e madhe e të rriturve i marrin për të mirëqena.
I ati i dhuroi një busull në moshën pesë vjeçare, dhe hetoi mbi natyrën e fushës magnetike gjatë gjithë jetës së tij. Ai kishte prirjen të mendonte në bazë të imazheve dhe jo me fjalë.
8- Kishte Ajnshtajni probleme të në mësuar?
Disa shkencëtarë kanë pretenduar se kanë zbuluar se në fëmijëri Ajnshtajni ka shfaqur shenja të lehta të autizmit ose të sindromës së Aspergerit. Simon Baron Kohen, drejtor i qendrës kërkimore të autizmit në Universitetin e Kembrixhit, është një prej tyre. Ai shkruan se autizmi është i lidhur “me një përpjekje intensive për të kontrolluar dhe një përpjekje të vogël të pazakontë për të qenë empatik”.
Ai gjithashtu vë në dukje se kjo gjë “shpjegon ‘kufijtë e aftësisë’ që njerëzit me autizëm shfaqin në lëndë të tilla si matematika, muzika ose vizatimi – të gjitha aftësi që përfitohen nga kontrolli”’. Kjo nuk duket një diagnozë bindëse.
Edhe si adoleshent, Ajnshtajni kishte miq të ngushtë, kishte marrëdhënie intime, bëhej pjesë e debateve skolastike, komunikonte mjaft mirë verbalisht dhe ishte empatik ndaj miqve dhe njerëzimit në përgjithësi.
9- A ngeli Ajnshtajni në Matematikë?
Një besim mjaft i përhapur rreth Ajnshtajnit është se ai kishte ngelur në lëndën e matematikës. Një kërkim në Google rreth kësaj nxjerr më shumë se 500 mijë rezultate. Ky lajm madje është bërë pjesë e titujve të gazetave “besoje ose jo”.
Por historia e tij është shumë ironike: Në 1935, një lajm u botua rreth Ajnshtajnit “Matematikani më i madh i kohës, ngel në matematikë”. Duke qeshur ai është përgjigjur se nuk ka ngelur asnjëherë në matematikë, dhe se në moshën 15 vjeçare ai kishte zgjidhur ekuacione të vështira matematikore.
Në shkollë fillore ai ka qenë më i miri i klasës dhe shumë më lart rezultateve të pritshme në matematikë. Në moshën 12 vjeçare, motra e tij u shpreh se ai “gjithmonë kishte preferuar të zgjidhte probleme të vështira aritmetike”, dhe vendosi të zbulonte nëse mund të progresonte duke mësuar gjeometrinë dhe algjebrën vetë.
Prindërit i blenë libra të avancuar që ai të përgatitej gjatë verës. Ai jo vetëm që mësoi fakte në këto libra, por identifikoi disa teori në një përpjekje që t’i testonte personalisht. Ai madje pati idenë e tij personale se si mund të provonte teorinë e Pitagorës.
10- A mendonte Ajnshtajni më shumë bazuar në imazhe se sa në fjalë?
Të gjitha zbulimet e tij të mëdha ishin rezultat i eksperimenteve vizuale që ai i zhvillonte në mendjen e tij më tepër se sa në laborator. Për këtë arsye, ata u quajtën Gedankenexperiment – eksperimentet e mendimit. Në moshën 16 vjeçare, ai u mundua të përfytyronte se si mund të ishte të ecje përkrah një rreze drite. Nëse arrihej shpejtësia e dritës, a nuk do të dukeshin valët e saj të palëvizshme? Por ekuacionet e famshme të Maksuellit që përshkonin valët elektromagnetike nuk e lejonin një gjë të tillë. Ai e dinte se matematika ishte mënyra që natyra përdorte për të përshkruar mrekullitë e saj, kështu ai mund të përfytyronte në mënyrë vizuale se si ekuacionet reflektoheshin në realitet. Kështu për dhjetë vitet e ardhshme të jetës së tij, ai mendoi rreth këtij eksperimenti deri sa erdhi momenti që ai nxori teorinë e famshme të relativitetit.
11- Cilat ishin mendimet – imazhe që Ajnshtajni përdori për teorinë e relativitetit?
Ndër shumë gjëra të tjera, ai imagjinoi goditje rrezatuese në dy anët fundore të një treni në lëvizje. Një person që është në rrugë mund t’i shohë këto ndriçime në një moment të vetëm, por dikujt që është në një tren lëvizës ato do t’i shfaqen në momente të ndryshme. Për shkak se treni ecën përpara, drita rrezatuese në pjesën e përparme të trenit do të arrijë më përpara tek personi një moment përpara dritës që vjen nga fundi i trenit. Nga kjo gjë Ajnshtajni kuptoi se “njëkohshmëria” është relative me gjendjen fizike në hapësirë. Dhe prej kësaj ai hodhi idenë se nuk ekzistonte koncepti i kohës absolute. Ky ëshët relativiteti i Ajnshtajnit, dhe sigurisht teoria e relativitetit.
12- Cili ishte eksperimenti i menduar, që çoi Ajnshtajnin drejt teorisë së relativitetit?
Ai imagjinoi një njeri në rënie të lirë. Për të kuptuar atë që ai pa, mendoni një njeri të mbyllur në një ashensor që ulet në drejtim të tokës. Ai do të lëvizte në ashensor duke u ngritur lart, dhe çdo gjë që do të dilte dhe binte nga xhepat e tij do të lëviznin lirshëm rreth tij – njësoj si të ishte i mbyllur në një dhomë, në një zonë pa gravitet të hapësirës. Në anën tjetër, mendoni një grua të mbyllur në një ashensor që po ngjitet lart në hapësirë, larg çdo lloj graviteti. Ajo do të ndihej sikur po binte në tokë, njësoj sikur të ishte duke u tërhequr nga graviteti. Nga ekuivalenca e gravitetit dhe nxitimit, ai ndërtoi teorinë e përgjithshme të relativitetit.
13 – Çdo gjë është relative
Ai zbuloi se graviteti ishte një “deformim” i hapësirës dhe kohës. Ai mund të përshkruhet duke përdorur një tjetër eksperiment të menduar. Imagjinoni si do të mund të ishte hedhja e një topi bouling – u në një sipërfaqe dy dimensionale të një trampoline. Ai i jep formë strukturës ndërkohë që lëviz. Më pas rrotulloni disa topa bilardoje. Ata lëvizin drejt topit të bouling–ut jo sepse ai i tërheq ata në mënyrë të panjohur (Siç thotë teoria e Njutonit), por për shkak të formës që ai i ka dhënë strukturës së trampolinës. Tani imagjinoni gjithë këtë në një strukturë katër dimensione të hapësirës dhe kohës. Nuk është e lehtë, ndaj ne nuk jemi Ajnshtajni dhe ai ishte. Ai ishte i aftë të nxirrte ekuacionin e fushës së gravitetit që tregonte se si materia formëson hapësirën dhe si forma e hapësirës i tregon materies si të lëvizë.
14-Cila ishte mrekullia e vitit e Ajnshtajnit?
Në 1905, Ajnshtajni u diplomua, por nuk ju dha mundësia që tema e tij e doktoraturës të pranohej; as të merrte një post akademik. Kështu ai filloi të punonte me orar të zgjatur, gjashtë herë në javë, si një ekzaminues i nivelit të tretë në zyrat zviceriane të inovacionit shkencor. Gjatë kohës së lirë, ai shkruajti katër teza që lidheshin me fizikën. E para tregonte se drita mund të prodhohej si në formë valësh ashtu dhe si grimca të quajtura fotone. E dyta provonte ekzistencën e atomeve dhe molekulave. E treta, teoria e relativitetit, që thonte se nuk kishte hapësirë apo kohë absolute. Dhe e katërta tregonte një ekuivalencë ndërmjet energjisë dhe masës, që përshkruhet nga ekuacioni i famshëm i fizikës, E=mc2.
15-Si ishte jeta personale e Ajnshtajnit në atë kohë?
Ndihma që ju dha në matematikë, ishte ajo e serbes, Mileva Mari, që ishte e vetmja femër në klasën e tij të fizikës, në universitet. Ata kishin rënë marrëzisht në dashuri me njëri – tjetrin, dhe patën një vajzë të jashtëligjshme, të cilën lejoi ta jepnin për birësim para se ta shihte. Më pas ata u martuan dhe patën dy djem. Eventualisht marrëdhënia e tyre u komplikua dhe Ajnshtajni kërkoi divorcin. Ai i ofroi asaj një marrëveshje: Një nga tezat e tij të 1905, sipas tij, do të fitonin Çmimim Nobel, dhe nëse ajo i jepte divorcin, Ajnshtajni do t’i jepte paratë e fituara nga ky çmim. Pasi u mendua për një javë, ajo pranoi. Për shkak se teoritë e tij ishin mjaft radikale, ai e fitoi këtë çmim vetëm në 1922.
16- Teoria: Si u krijua relativiteti?
Shkencëtarët nuk ishin të sigurtë që herën e parë nëse teoria e relativitetit ishte e saktë. Por Ajnshtajni propozoi një eksperiment dramatik. Gjatë eklipsit të ardhshëm, në 1919, shkencëtarët mund të masnin se si drita e yjeve që kalonte në afërsi të diellit, drejtohej nga graviteti. Lajmet që pasuan ishin: “Dritat që lëvizin shtrembër në Parajsë / Njerëzit e shkencës Më shumë apo më pak të etur për rezultatet e Vëzhgimeve të Eklipsit / Teoria e Ajnshtajnit triumfon”. Dhe e gjithë kjo është shkruar në një kohë kur të paktë ishin ata që dinin të shkruanin mirë. Ajnshtajni u bë i famshëm për kontributin që dha në lindjen e një epoke të re. Ai u bë një shkencëtar i famshëm dhe një ikonë e humanizmit; një nga emrat më të njohur në planet.
17- Ajnshtajni propozon një “kontratë” të çuditshme
Pasi ai dhe Mileva u martuan, patën dy djem, Hans Albert dhe Eduard. Suksesi akademik dhe udhëtimet nëpër botë kishin çmimin e tyre. Ai u distancua nga gruaja e tij dhe për disa kohë çifti u përpoq të merrej me problemet. Ajnshtajni propozoi një “kontratë” të çuditshme për të jetuar me Milevën. Kushtet ishin që rrobat të ishin të pastra dhe të hekurosura, që t’i çonte tre vakte të ngrohta në dhomë, që dhoma dhe studioja të ishin të pastra, përveç tavolinës së punës, që ajo të pushonte së foluri kur ai t’ia kërkonte. Ajo pranoi dhe ai i premtoi se do ta konsideronte të huaj çdo grua tjetër. Pas divorcit, marrëdhënia e Ajnshtajnit me djalin e madh u lëkund. Hansi fajësonte të atin për ndarjen nga Mileva dhe pasi Ajnshtajni fitoi çmimin “Nobel” dhe paratë. Ai i dha asaj vetëm interesat dhe jo shumën e madhe të çmimit. Grindjet mes tyre u shtuan kur Ajnshtajni kundërshtoi martesën e djalit me Frieda Knecht, sepse ajo ishte “më e madhe dhe e shëmtuar”. Kur ata u martuan, Ajnshtajni i kërkoi djalit të mos bënin fëmijë, pasi kjo do ta bënte divorcin edhe më të vështirë. Edhe mamaja e Ajnshtajnit e kishte kundërshtuar martesën me Milevën. Kur i biri emigroi në Amerikë, ata mbetën të ndarë.
18- Ajnshtajni, i preferuari i grave
Kur Ajnshtajni u divorcua me Milevën në vitin 1919 (tradhtia cilësohet si një nga shkaqet), ai u martua me kushërirën, Elsa Loëenthal. Në të vërtetë ai donte të martohej edhe me vajzën e Elsës nga një martesë e mëparshme, Ilse, 18 vjet më e re se ai, por ajo e kundërshtoi. Ndryshe nga Mileva, shqetësimi kryesor i Elsës ishte të kujdesej për burrin e saj të famshëm. Ajo i dinte dhe i toleronte tradhtitë dhe lidhjet dashurore të tij, të cilat zbulohen më vonë tek letrat e tij. Fillimisht e tradhtoi me sekretaren, Betty Neumann. Korrespondenca e tij tregon se ishte i lidhur me gjashtë gra, mes tyre dhe një spiune ruse.
19- Pacifisti që shpiku bombën atomike
Në vitin 1939, i alarmuar nga shumimi i Gjermanisë naziste, Leo Szilard e bindi Ajnshtajnin t’i shkruante një letër presidentit amerikan, Franklin Roosevelt, ku e paralajmëronte se Gjermania naziste po ndërtonte një bombë atomike dhe i sugjeronte Shteteve të Bashkuara të zhvillonin bombën e tyre. Letra e Ajnshtajnit dhe Szilardit konsiderohet si një nga arsyet që Roosevelti filloi “Projektin Manhattan” për të zhvilluar bombën, edhe pse më vonë u zbulua se bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941 e bindi më shumë qeverinë se sa letra e tyre. Edhe pse ishte fizikant i shkëlqyer, ushtria e konsideronte si rrezik sigurie dhe nuk e ftuan në projekt.
20- Ajnshtajni në Shqipëri
E kush mund ta mendonte se fizikanti i madh ka shkelur tokën shqiptare? Dhe jo vetëm kaq. Ai u pajis me pasaportë shqiptare nga mbreti Zog, si një mbrojtje që ai i dha hebreut më të famshëm të shekullit të 20-të. Edhe pse për shumë pak orë, Ajshtajni në vitin 1931 ka qëndruar në portin e Durrësit, në pritje të anijes.