Kurti po e sfidon sistemin e drejtësisë, ja ç’do të ndodhë pasi as sot s’u paraqit në Prokurori

Për të tretën herë me radhë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka refuzuar të paraqitet në zyrat e Prokurorisë Speciale për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në rastin e rezervave shtetërore.

Gjatë ditës së sotme, 4 mars, Kurti kishte urdhër nga Gjykata Themelore e Prishtinës që të paraqitej në Prokurorinë Speciale të Kosovës në orën 10:00, mirëpo ai nuk e zbatoi këtë urdhër.

Kurti kishte zgjedhur të shkojë në Gjilan për të vënë gur themelin e një çerdheje të re.

Nga atje Kurti deklaroi se nuk ka refuzuar asnjëherë të japë dëshmi, por, siç theksoi, ka kërkuar të intervistohet në zyrat e tij.

“Së pari, unë asnjëherë nuk kam thënë se nuk do të jap dëshmi ose refuzoj të jap dëshmi, përkundër kam thënë që jam jo vetëm i gatshëm, por i interesuar të dëshmoj. Në anën tjetër, kam shkruar edhe letrën me oraret se kur mund të bëhet dëshmia. Unë i mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit, ka pasur raste edhe në të kaluarën kur prokurorët kanë ardhur për kryeministra, madje jo si dëshmitarë, por edhe si të pandehur, prandaj nuk ka asnjë arsye që kjo të mos vazhdohet. Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia, nëse Prokuroria e ka pasur kaq të rëndësishme, ajo do të vinte te ne”, deklaroi Kurti para gazetarëve.

Pas mosparaqitjes së Kurtit në Prokurorinë Speciale, kjo e fundit ka reaguar, duke thënë se do të veprojë në bazë të legjislacionit në fuqi.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij, edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij më datën 04.03.2025, në orën 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet e tjera, do të veprojë duke respektuar legjislacionin në fuqi”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Kurti po e sfidon sistemin e drejtësisë, e pret gjoba

Sipas avokatëve, përmes mosparaqitjes së Kurtit në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit po sfidohet sistemi i drejtësisë.

Avokati Arbër Jashari thotë për “Zërin” se kësaj radhe çështja është ndryshe, pasi Kurti ka pasur urdhër nga Gjykata dhe nuk ka qenë vetëm ftesë e Prokurorisë.

Sipas Jasharit, tashmë janë shterur të gjitha mundësitë ligjore dhe Kurti do të gjobitet.

“Për dallim nga herët e tjera, ku Kurti nuk është paraqitur pasi ka pranuar ftesën nga ana e Prokurorisë, kësaj radhe është një situatë pak më ndryshe duke qenë se nuk bëhet më fjalë për ftesë të Prokurorisë, por bëhet fjalë që ka pasur një vendim apo një urdhër nga ana e Gjykatës që ai të paraqitet dhe nuk është paraqitur. Dhe me mosparaqitjen e zotëri Kurtit, pavarësisht se është urdhëruar nga ana e Gjykatës, atëherë janë shterur edhe prezumimet ligjore në këtë aspekt dhe ai tashmë mund të gjobitet deri në 250 euro, ashtu siç e ka paraparë Kodi i Procedurës Penale, konkretisht Neni 132”, theksoi Jashari për “Zërin”.

Edhe avokati Ardian Bajraktari shprehet për “Zërin” se, kjo qasje e kryeministrit Kurti është e papranueshme, pasi tashmë bëhet fjalë për urdhër të Gjykatës.

Sipas Bajraktarit, kërkesa e Kurtit që të intervistohet në zyrat e tij tashmë është e pabazuar dhe duhet të ketë një reflektim nga ana e tij.

“Një qasje e tillë është e papranueshme, me këto veprime po sfidohet sistemi ynë i drejtësisë. Kërkesat duhet të jenë të bazuara në ligj, sistemi ynë juridik vë në plan të për parimin e trajtimit të barabartë të gjithë qytetarëve para ligjit, në rrjedhë të kësaj Kodi i Procedurës Penale çështjen e intervistimit jashtë zyrës e mundëson, por vetëm si rrethanë përjashtuese. Është Neni 129, paragrafi 5 i Kodit që përcakton se Dëshmitari i cili për shkak të pleqërisë, sëmundjes ose të metave të rënda trupore nuk mund t’i përgjigjet thirrjes, mund të pyetet jashtë zyrave të organeve të zbatimit të ligjit. Duke qenë se tashmë kemi urdhër gjykate, është e qartë se kërkesa për intervistë jashtë zyrave të prokurorisë është e pabazuar, prandaj duhet reflektim, në drejtim të kryerjes së këtij detyrimi ligjor sa më parë”, theksoi Bajraktari për Zeri.info.

Avokati Arbër Jashari ka thënë po ashtu se Kurti nuk do të duhej të shkaktonte precedent të refuzimit të intervistimit në zyrat e Prokurorisë, por, siç u shpreh ai, Kurti do të duhej të ishte shembull për qytetarët.

“Natyrisht që Kurti si bartës i funksionit më të lartë ekzekutiv në vend është dashur t’i përgjigjet Prokurorisë Speciale, pasi dihet se Prokuroria është një institucion kushtetues dhe në këtë mënyrë do të kishte dhënë një shembull të mirë të respektimit të ligjit dhe do ta kishte ndihmuar Prokurorinë në zbardhjen e çështjes për të cilën Prokuroria mendon se Kurti ka informata dhe mosparaqitjen e tij nuk është një shembull i mirë por është në vazhdën e asaj që Kurti e ka thënë pothuajse vazhdimisht”, u shpreh Jashari.

Çfarë thotë ligji për mosparaqitjen e dëshmitarëve?

Në Kodin e Procedurës Penale thuhet se një gjyqtar, sipas detyrës zyrtare, ose me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet. Nëse ai nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.

Theksojmë se në vitin 2011, Blerim Kuçi, atëherë kryetar i Komunës së Suharekës, ka qëndruar në paraburgim për 30 ditë, pasi ka refuzuar të jepte dëshmi për dyshimet lidhur me krimet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Para masës së ndalimit, ai është gjobitur me 250 euro. /Zëri