Edhe Kushtrim Kokalla sillet i prangosur këmbë e duar në Gjykatë [foto]

Kushtrim Kokalla është njëri prej të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Në gjykimin, i cili pritet të fillojë pas pak, sikurse Naim Murseli, edhe Kushtrim Kokalla është sjellë i prangosur këmbë e duar në Gjykatë, raporton Zeri.info.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, si dhe Granit Plava dhe Tom Dodaj.

Ndryshe, para pak ditësh, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se kanë përfunduar hetimet dhe kanë ngritur aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Deri tani, tre të akuzuarit, Murseli, Kokalla dhe Plava, ndodhen në paraburgim, ndërsa për Dodajn, i cili dyshohet se ka shitur armën dorasit, është vendosur të lirohet pasi Gjykata Supreme ndërpreu masën e paraburgimit ndaj tij.  /Zëri