I prangosur këmbë e duar, Naim Murseli sillet në Gjykatë [foto]

Pas pak pritet të fillojë gjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, një ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, si dhe Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tom Dodaj.

Me pranga në këmbë e duar e nën masa të sigurisë, para pak çastesh Murseli është sjellë në Gjykatë, raporton Zeri.info.

Ndryshe, para pak ditësh, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se kanë përfunduar hetimet dhe kanë ngritur aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje. /Zëri