Arrestohet njëri nga dy të dyshuarit për grabitjen e sotme, dyshohen për të njëjtën vepër edhe më 17 janar

Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë njërin prej të dyshuarve lidhur me grabitjen që ndodhi sot në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Enver Maloku” në Prishtinë.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.

“Reagimi i shpejtë i zyrtarëve nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, ka rezultuar me arrestimin e njërit prej personave të dyshuar vetëm pak minuta pas raportimit të rastit”, ka thënë Ahmeti.

Ajo ka thekuar se personi i dyshuar aktualisht po intervistohet, përderisa hetuesit janë në kërkim të personit të dytë, të cilin tashmë e kanë identifikuar.

“Personat e njëjtë dyshohet të jenë të përfshirë në grabitjen e armatosur që ndodhi me datën 17 janar 2025, në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë”, ka thënë Ahmeti.

Grabitja e sotme ndodhi rreth orës 12:30. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se dy persona të dyshuar/maskuar nën kërcënim të armës kanë grabitur një shumë parash.