Shqetësuese numri i vrasjeve në Kosovë
Dy vrasje në Klinë dhe disa persona të therur me thikë, kanë tronditur Kosovën gjatë kësaj jave.
Të hënën në Ferizaj janë therur katër persona me thikë nga një burrë i moshës 59-vjeçare, ndërsa në Klinë në pasditen e së mërkurës dy persona kanë mbetur të vrarë nga arma e zjarrit. Dy tentim vrasje kanë ndodhur edhe gjatë ditës së enjte në Kosovë.
Rastet e vrasjeve në Kosovë në përgjithësi që po shkaktohen për motive të ndryshme, kanë shqetësuar qytetarët të cilët kërkojnë reagim më serioz të organeve të drejtësisë.
Gani Krasniqi, banor i Prishtinës deklarohet për EO se është shumë i brengosur për krimet e fundit ndërmjet qytetarëve që përfunduan me fatalitet.
“Jam shumë i brengosur për këto dy raste që ndodhën brenda një dite, me marrë thikën dhe me dalë me ther njerëzit të cilët nuk kanë asnjë lidhje me atë problem, kjo është shumë problem. Propozoj se policia duhet të jenë më sy hapur, të dalin nëpër rrugica, duhet me qenë edhe sy qenë edhe nëpër shkolla që të njoftojnë prindërit e arsimtarët, se me të vërtetë është shumë prekëse”, thotë ai.
Krasniqi thotë se kjo nuk ka ndodhur në vendin tonë asnjëherë më parë. Sipas tij ka pasur raste që janë rrahur, por jo në përmasat e tashme siç po ndodh.
Ndërkaq, edhe Hilmi Rrahmani, tha se të rinjtë duhet të vetëdijesohen që mos të krijohen këto probleme.
“Gjithmonë ka qenë rreziku dhe do të jetë rreziku, nuk mundet policia në çdo hap të jetë pranë njerëzve mirëpo njerëzit duhet të vetëdijesohen vet që të mos kenë probleme mes vete në mënyrë paqësore që t’i zgjidhin problemet. Qytetarët duhet të kenë siguri, kriminelët e bëjnë pasigurinë”, tha ai.
Qytetari tjetër, Valdet Ballabani kërkon që të minimizohen rastet e dhunës dhe vrasjet në vendin tonë, duke u marrë masa më të ashpra ndaj kryerësve të këtyre veprave penale.
“Vrasjet dhe këto krime që bëhet ato ndodhin gjithkund, mirëpo mirë është tentativat që të minimizohe, pasiguria eksiton, por nuk jemi shumë të veçantë sa i përket shteteve të tjera, normale që duhet të jemi më strik dhe ndoshta edhe të ashpër në vlerësimin e padive ndaj tyre”, tha ai.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala për EO, ka thënë se tani më situata ka dal jashtë konturave të normales.
Ai tha se duhet të bëhet një analizë më e thellë dhe të shikohen se ku janë dështimet. Trendi i vrasjeve në Kosovë, sipas tij po shënon rritje të madhe.
“Tani më situata është duke kaluar jashtë konturave të së normales, jashtë përqindjeve të lejuara në kontekstin e cenimeve të sigurisë publike, pra do të duhet të kemi një reflektim dhe një analizë të thellë strategjike të inkuadrimit të gjithë akterëve për të shikuar dhe analizuar se ku janë dështimet në sistem”, tha Shala.
Ai theksoi se dështimet në sistem po ndikojnë drejtpërdrejt në cenimin e sigurisë publike duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
“Trendi i vrasjeve dhe plagosjet në Republikën e Kosovës janë në rritje. Departamenti për siguri publike në kuadër të përgjegjësisë publike do duhet të reflektojë, do duhet të kemi ristrukturim dhe do duhet të kemi angazhim të forcave shtesë që të vihet nën kontroll kjo situatë e pakontrollueshme. Në anën tjetër procesi gjyqësor do duhet ta përmbyll dhe të marr verdiktet përfundimtare për të arritur që drejtësia të vijë në vend. Një analizë e thellë strukturore për të parë dështimet e mundshme në sistemin e hallkës shtetërore të sistemit dhe më pastaj duke parë mangësitë, gabimet të evidentohen. Dhe më pas të vazhdohet tutje drejt arritjes së sukseseve, e cila është minimizimi i rasteve të vrasjeve në qytetet e Kosovës”, ka thënë Shala.
Sipas raportit nëntëmujor janar-shtator 2024, të Policisë së Kosovës numri i armëve të konfiskuar është rritur nga 939, në 1186, ose 26.3 për qind, numri të personave të arrestuar është rritur për 5.3, dhe numri i personave të ndaluar në Qendrat e ndalimit është rritur për 15.3 për qind.
Ndërsa, sipas të dhënave të Policisë numri i vrasjeve ka rënie për -2.4 për qind. “Po ashtu është numri i veprave penale ka shënuar ulje nga: 20417 në 20311, në përqindje ulje për -0,52 për qind. Vrasjet nga 25 raste në 14 raste, rënie -44%”, theksohet në raport.