Operacioni ndaj institucioneve paralele në veri, SHBA: Veprim që përkeqëson partneritetin tonë

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar ndaj operacionit të sotëm të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku janë mbyllur pesë institucione paralele serbe. 

Në komunikatën e Ambasadës amerikane thuhet se Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë.

“Me urdhër të autoriteteve politike të Qeverisë së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar sot, më 30 gusht, operacione kundër institucioneve të mbështetura nga Serbia në veri të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se “përderisa Qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premtimin të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në komunikatë.

Në një operacion policor të premten janë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri të vendit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Kosovës”, tha Krasniqi.

Ministri Krasniqi tregoi se institucionet e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit. /Telegrafi/