Vrasja e policit, Schneebergeri i reagon Borrellit e Lajçakut: Kështu ndodh kur luftën kundër krimit e quani provokim
Sot një polic i Kosovës është vrarë nga grupe të armatosura në veri, kurse akte të tilla agresioni janë hasur shumë shpesh në këtë pjesë.
Megjithëatë sa i përket dialogut, Kosova është pala e sanksionuar nga BE-ja, kurse Serbia pala e “ledhatuar” pavarësisht dhunës e agresionit që shfaq, raporton Zeri.info.
Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger ka reaguar për vrasjen e policit në veri dhe ka akuzuar shefin për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak për njëanshmëri në përkhrahje të Serbisë.
Ajo madje tha se kjo ndodh kur “luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon”.
“Kështu ndodh kur e qetëson Vuçiqin dhe luftën kundër krimit e quan provokim dhe e dënon. Josep Borrel, Mirsolav Lajçak”, shkroi Schneeberger në platformën “X”.
Këshilltarja e BE-së theksoi se tani është koha për ta mbrojtur popullin e Kosovës e jo një autokrat, duke aluduar në Vuçiqin, i cili sipas saj po “bën lojëra të rrezikshme”. /Zëri