Në Prizren babai tenton ta vrasë vajzën, vetëdorëzohet në Polici

Një tentim vrasjeje ka ndodhur të enjten në Prizren, ku një person ka tentuar ta vrasë vajzën e tij.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Randobravë, ku 59-vjeçari pas një konflikti verbal me familjarët e tij ka nxjerrë pistoletën dhe ka shtënë tri herë në drejtim të vajzës së tij A. H., 31 vjeçe, transmeton Zeri.info.

Policia tutje njofton se djali i të dyshuarit ka arritur me forcë t’ia marrë armën nga dora babait të tij dhe i dyshuari është larguar nga shtëpia.

“I dyshuari fillimisht nëpërmes telefonit ka raportuar Policinë se e ka gjuajtur në drejtim të vajzës së tij dhe se nuk e di a e ka vrarë ose jo dhe në ndërkohë është vetëdorëzuar në Stacionin Policor Prizren”.

“Patrullat policore bashkë me Emergjencën janë nisur menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes.

Por në ndërkohë në stacionin policor Prizren “Veri” kanë arritur dy viktimat (motër e vëlla), të cilët e kanë dorëzuar armë gjithashtu. Asnjë person nuk ishte vrarë ose lënduar. Nga Policia është bërë këqyrja e vendi të ngjarjes, mbledhja e provave dhe dëshmive dhe intervistimi i të dyshuarit dhe viktimave”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit të Shtetit të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë. /Zëri

Arma e përdorur në këtë rast