Kur kemi filluar ta festojmë Vitin e Ri?

Darka festive, takime familjare, festa të mëdha në sheshe, numërim mbrapsht, përqafime, dolli…

Njerëzit në mbarë botën presin me padurim minutat e para të Vitit të Ri, të paduruar për të parë se çfarë do t’u sjellë.

A e keni ditur se këtë e kemi bërë në 4000 vitet e fundit?

Mund t’ju habisë kur mësoni se mirëpritja e Vitit të Ri ka një histori të gjatë dhe të lashtë.

Festimi i parë i njohur i regjistruar i Vitit të Ri u zhvillua në Babiloni, rreth 4,000 vjet më parë – 2,000 vjet para Krishtit, shkruan nationalgeographic.

Babilonasit e festonin vitin e ri në hënën e parë të re pas ekuinoksit pranveror, zakonisht në fund të marsit, dhe me atë rast organizuan festën e Akitut, e cila zgjati njëmbëdhjetë ditë. Çdo ditë të festivalit ata praktikonin një ritual të ndryshëm, transmeton Telegrafi.

Festa i dedikohej fitores mitike të perëndisë së qiellit, Marduk mbi perëndeshën e detit, Tiamat, dhe gjithashtu përfshinte aktin e kurorëzimit të një mbreti të ri ose të lejimit të mbretit të vjetër të vazhdonte mbretërimin e tij.

Qytetërime të ndryshme e lidhën fillimin e vitit të ri me ndonjë ngjarje të rëndësishme astronomike ose bujqësore.

Për shembull, romakët e mirëpritën Vitin e Ri në Mars, të udhëhequr nga ciklet hënore, deri në vitin 46 pas Krishtit. Ai vit i dyzet e gjashtë ishte më i gjati në histori dhe zgjati 445 ditë. Pastaj perandori romak, Julius Caesar thirri astronomin, Sosigenius nga Aleksandria për të bërë korrigjime në kalendarin romak.

Pas kësaj reforme, të quajtur sipas Galius Julius Caesar, datat e ekuinoksit të pranverës u përafruan me lëvizjen e Diellit.

Për nder të perëndisë Janus – perëndisë romake të fillimeve, dy fytyrat e të cilit i dhanë mundësinë për të parë njëkohësisht të kaluarën dhe të ardhmen – Caesari vendosi 1 janarin si ditën e parë të vitit.

Romakët e festuan këtë festë të re jo vetëm duke i bërë sakrifica Janusit, por edhe duke shkëmbyer dhurata, duke marrë pjesë në festa dhe duke zbukuruar shtëpitë e tyre me degë dafine.