Musliu: Policët e Kosovës tash e 55 orë të ngujuar në Jarinjë, rezervat ushqimore kanë filluar t’u përfundojnë
Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se sipas informacioneve që ajo posedon, policët e Kosovës tash e 55 orë janë duke qëndruar në pikën kufitarë në Jarinjë pa ndërrim.
Sipas Musliut, ky nuk është problemi i vetëm, pasi rezervat ushqimore të këtyre policëve kanë filluar të përfundojnë.
“Në bazë të informatave që kam nga terreni, tani po bëhen 55 orë që policët e Kosovës pa ndërrim po qëndrojnë në Jarinjë, pasi rruga është bllokuar qe 48 orë. Përveç lodhjes e rraskapitjes, atyre tash po u përfundojnë edhe rezervat e ushqimit”, ka thënë Musliu
Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet të jetë transparente dhe të njoftojë për gjendjen e Policisë.
“Qeveria e Kosovës duhet të jetë transparente dhe të na njoftojë për gjendjen e policëve”, ka deklaruar ajo
Musliu ka kërkuar që urgjentisht të gjendet një zgjidhje për të bërë ndërrimin e policëve, si dhe të bëhet furnizimi me ushqim.