Konjufca: S’ka asnjë mëdyshje që e tërë kjo situatë është e orkestruar nga Vuçiqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar situatën e krijuar në vend pas dorëheqjeve të zyrtarëve serbë nga institucionet kosovare.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, kryetari Glauk Konjufca tha se nuk ka asnjë dyshim që e tërë kjo ngjarje është e orkestruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton “Zeri.info”.

“Unë mendoj që gjithçka që po shohim këtyre ditëve të fundit sa u përket bllokadave, reagimeve, dorëheqjeve e kështu me radhë, të gjitha janë një orkestrim në të cilën dirigjenti i padiskutueshëm është Aleksnadar Vuçiqit dhe Serbia. Këto nuk kanë të bëjnë aspak me një reagim spontan me serbët e veriut të Kosovës, sepse kjo ka ndodhur vetëm në veri dhe jo në pjesët e tjera të Kosovës”, u shpreh Konjufca.

Tutje, Konjufca ka thënë se pozita dhe opozita duhet të jenë të bashkuar rreth kësaj situate, duke shtuar se në asnjë mënyrë Vuçiqi dhe Serbia nuk mund të përcaktojnë se kur të mbahen zgjedhjet në Kosovë, raporton më tutje “Zeri.info”.

“Nuk kisha pas dëshirë me mendua që Aleksandar Vuçiqi mundet me çu në zgjedhje Republikën e Kosovës kur të do, pra këtu duhet të jemi të qartë, se nëse ka qenë qëllimi i Vuçiqit apo i Republikës së Serbisë të shkaktojë zgjedhje apo ndonjë lloj destabilizimi, apo zgjedhje si rezultat i ndonjë destabilizimi si rezultat i sfidimit të situatës së sigurisë në vendin tonë. Atëherë unë mendoj se kjo vetëm që nuk është e mundshme, por beso se edhe i gjithë spektri politik është i bashkuar sze kjo është e palejueshme dhe e patolerueshme. Po besoj se do ta kemi një bashkëpunim edhe me opozitën dhe një pajtueshmëri se kjo do të ishte një cenim serioz i themeleve të funksionalitetit të Republikës së Kosovës. Unë nuk e përjashtoj se Serbia, Vuçiqi e Daçiqi dhe të tjerët që kanë qëllime të tyre, por unë mendoj që përballë qëllimeve të tyre ne duhet ta kemi një konsensus elementar që të mos biem pre e këtyre përpjekjeve”, tha Konjufca. /Zeri.info