Konjufca: Largimi i Listës Serbe s’e rrezikon rendin kushtetues, do t’i drejtohem presidentes

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur sot për dorëheqjen e dhjetë deputetëve të Listës Serbe.

Konjufca ka thënë se dorëheqja e Listës Serbe nuk e rrezikon rendin kushtetues.

“Kjo proceduralisht, edhe ligjërisht, por edhe me Kushtetutë mendoj nuk ka kurrfarë dallimi prej procedurave kur edhe një deputet mund të japë dorëheqje. Kështu që unë mendoj që me këtë ngjarje nuk ka ndodhur kurrfarë rrezikimi i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Unë mendoj që krejt është kuantitativisht na ka ndodhur një dorëheqje më e madhe, sepse kësi dorëheqje nuk kemi pasur asnjë herë në Kuvendin e Kosovës”.

Mirëpo në aspektin procedural dhe ligjor e kushtetues është e njëjta procedurë e ndërrimi, siç ndodh edhe me deputetët e tjerë, kur për shkaqe të ndryshme nuk dëshirojnë të jenë pjesë e Parlamentit, pra nuk dëshirojnë të jenë deputet të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Duke folur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca tha se pas dorëheqjes do t’i drejtohet presidentes Vjosa Osmani dhe më pas ajo KQZ-së për të bërë zëvendësimin e deputetëve serbë, transmeton Zeri.info.

“Kështu që në këtë rast ne e kemi një Grup Parlamentar, është rast specifik, është shembulli i parë po më duket në Republikën e Kosovës, por edhe për këtë rast janë të qarta procedurat ligjore, pra nuk ka kurrfarë hendeku kushtetues, as nuk rrezikohet Kuvendi i Republikës së Kosovës e as nuk mund ta sfidojnë nëse ky ka qenë qëllimi, nuk dua të paragjykoj.

Por edhe nëse ju doni të spekuloni se ky ka qenë qëllimi që të dëmtohet rendi kushtetues i Republikës i Kosovës. Unë i siguroj qytetarët e Kosovës se nuk është prekur aspak rendi kushtetues me këtë dorëheqje. Unë do t’i drejtohem presidentes, e më pas presidentja KQZ-së. Unë me aq sa di, KQZ-ja, do t’i shtyjë në listë deputetët që janë në rend, e më pas nëse edhe ata refuzojnë, atëherë KQZ-ja do të na japë përgjigje. Nuk është aspak antikushtetuese nëse në Kuvendin e Kosovës janë 110 deputetë. Ne nuk jemi në një krizë kushtetuese, por në procedura të zëvendësimit të tyre. Kjo është e drejta dhe e vërteta”, deklaroi Konjufca. /Zëri