Presidentja hungareze: Vizat të hiqen sa më shpejt, me Serbinë të gjeni kompromis

Presidentja e Hungarisë, Katalina Novak, tha se shteti i saj do ta mbështetë Kosovën që sa më parë të hiqen vizat.

Ajo pas takimit me presidenten Vjosa Osmani shtoi se të dyja diskutuan për sfidat si gra politikane e si nëna, por edhe për sfidat që e preokupojnë rajonin.

Sa i përket dialogut, ajo tha se ky proces duhet të vazhdohet dhe se duhet të gjendet kompromis ndërmjet palëve.

Novaku tha më tej se për stabilitetin dhe paqen në kontinent nevojitet dhe duhet paqe edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se KFOR-i kontribuon në këtë drejtim.

“Është takim mes presidentësh dhe të përveshim pozitat tona si gra. Jemi këtu edhe si nëna, është e mundur të balancosh pushtetin me të qenët nënë. Sa u përket sfidave politike, diskutuam dhe nuk dua të shmang problemin e luftës në Ukrainë. Lufta në Ukrainë ka pasur ndikim në Kosovë dhe Hungari”.

“Do të bëjmë çdo gjë për të siguruar energjinë. Për paqen dhe sigurinë në kontinent na duhet edhe paqja. Mbështesim proceset euroatlantike. Ne duam të shfrytëzojmë këtë mundësi që ta përshpejtojmë liberalizimin e vizave dhe duam të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur”.

“…sa i përket dialogut Prishtinë – Beograd, duhet të vazhdohet dhe palët negocuese duhet të gjejnë terrenin e përbashkët dhe ta ruajnë paqen e këtij rajoni. Roli i tyre është të gjeni kompromis. Integrimi i Ballkanit duhet të jetë zgjidhja afatgjate”. /EO