Ahmeti: Më ftoi policia për intervistim pasi s’e ktheva në punë një të akuzuar për pedofili
Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se para pak javësh ka pranuar një ftesë për intervistim nga policia, për siç thotë, mos-kthim në punë të një personi të akuzuar për pedofili.
Sipas Ahmetit, i njëjti ishte liruar nga gjykata dhe kishte dorëzuar Kallëzim penal ndaj tij.
“Para disa viteve, kishim një rast të një mësimdhënësi në një shkollë fillore në Prishtinë i cili kishte prekur një vajzë nxënëse në mënyrë të papranueshme. Me lajmërimin në polici ishte ngritur aktakuzë ndaj personit në fjalë. Pas disa takimeve me drejtoreshën dhe me prindër kuptova që ky nuk ishte rasti i parë”.
“Disa vite më pas nga gjykata ma sollën vendimin e formës së prerë që personi në fjalë ishte liruar dhe duhet kthyer në punë. Refuzoja edhe pse juristët më thonin se rrezikoja dënim edhe me gjobë (personale) por edhe me burg. Po ashtu personi në fjalë përmes një familjari më kishte kërcënuar edhe personalisht”.
"Para skadimit të afatit, kam nënshkruar dy vendime në të njëjtën kohë – kthimin në vend të punës sipas vendimit të gjykatës dhe menjëherë suspendimin me vendim të kryetarit në procedurë të brendshme. Ky person sipas meje nuk duhej as edhe një minutë të kaloj në shkollë”, ka shkruar Ahmeti.
Tutje, ai thotë se pas përfundimit të mandatit, ka marrë ftesë nga policia sipas Kallëzimit penal që ia kishte bëri personi dhe me urdhër të prokurorit është investuar për moszbatim të vendimit të gjykatës për kthimin në punë të personit në fjalë.
“Policët hetues ishin shumë profesional dhe po kryenin punën e tyre. Ju shpjegova se ai dhe persona të tillë nuk duhen të jenë afër fëmijëve. Edhe pse kisha shfrytëzuar ligjin për ta larguar do të rrezikoja edhe aktakuzën vetëm për ta ndalur”, është shprehur Ahmeti.
Ai thotë se në Kosovë është koha për legjislacion të regjistrit të shkelësve seksualë, teksa shtoi se reagimet dhe marrja e përgjegjësisë për raste individuale është e domosdoshme.
“Por edhe më e domosdoshme është marrja e iniciativave për politika e legjislacion. Me këtë nuk zhduken kriminelët por identifikohen e parandalohen më lehtë. Në SHBA lista është publike ku njerëzit e dijnë kur dikush është në lagjen e tyre. Në BE vetëm Policia ka qasje por çdo lëvizje e vendbanimit të një personi të tillë duhet të lajmërohet në policinë lokale”, shkroi Ahmeti.