Konjufca takohet me Hovenierin: Miqësia dhe partneriteti Kosovë – SHBA mbeten postulate të palëkundura

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka pritur sot në takim amabasadorin e SHBA-së në Prishtinë Jeff Hovenier dhe Zëvendësshefen e Misionit, Alyson Grunder.

Konjufca e ka cilësuar takimit tejet miqësor, ndërsa i dëshroi mirëseardhje në Kosovë Zëvendësshefes Grunder.

“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në një takim tejet miqësor Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z.Jeffrey M. Hovenier dhe znj.Alyson Grunder, Zëvendës Shefe e Misionit. Me këtë rast, znj.Grunder i dëshirova mirëseardhje në vendin tonë dhe i urova suksese në detyrën e re.

Po ashtu, Ambasadorin Jeff Hovenier dhe Zëvendës Shefen e Misionit, Alyson Grunder, i falënderova për përkrahjen dhe mbështetjen e gjithanshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t'i japin Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca.

Ai ka thënë se miqësia mes Kosovës dhe SHBA-së, mbetet e palëkundër.

“Miqësia e dëshmuar dhe partneriteti shembullor ndërmjet popujve dhe shteteve tona mbeten postulate të palëkundura, siç mbetet i palëkundur përkushtimi i Republikës së Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkërendimin e objektivave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” , ka shkruar kreu i Kuvendit. /Zëri