Rritja e temperaturave, KRU “Hidrodrini” formon ekip emergjent për monitorimin e cilësisë së ujit

Kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini” njofton se pas rritjes së temperaturave atmosferike ka formuar ekipin emergjent, ku si detyrë primare do të jetë monitorimi i cilësisë së ujit në tërë rajonin e mbulueshmërisë, ku kompania ofron shërbimet e veta.

Siç bëhet e ditur, ekipi emergjent ka për detyrë të kontrollojë të gjitha burimet e ujit si dhe pajisjet e klorinimit, rezervarëve të ujit, si dhe rrjetin e ujësjellësit.

Po ashtu, Ujësjellësi njofton të gjithë konsumatorët e zonës së mbulueshmërisë, të cilët furnizohen nga sistemi i Ujësjellësit, Pejë Istog, Klinë, Junik dhe Deçan, se Autoriteti Rregullator për Shërbime të Ujit ka marrë vendim për rregullimin e lidhjeve të gypave alternativ të ujit në rrjetin e ujësjellësit publik.

Ky vendim thuhet se është marrë me qëllim të ruajtjes të shëndetit publik dhe eliminimin e lidhjeve dytësore të ujërave të papërpunuara në rrjetin e ujësjellësit publik.

“Të gjithë konsumatorët, të cilët krahas shërbimeve të ujësjellësit publik kanë në shfrytëzim edhe burime të tjera të ujit (pus privat) të lidhura në objektin e tyre, janë të obliguar të organizojnë instalimet e tyre sipas udhëzimeve në këtë vendim për të evituar rrjedhjen e ujit prej pusit privat (që është ujë i pa përpunuar) në sistemin publik të furnizimit me ujë dhe anasjelltas”, thuhet në njoftim.

“Në rastet e tilla konsumatori duhet të instalojë valvula jokthyese në të dy gypat furnizues, atë të sistemit të ujësjellësit publik dhe në gypin e pusit privat, sipas skemës së bashkangjitur, shtojcë e këtij vendimi”.

Po ashtu, ndalohet rreptësisht që gypat që furnizojnë ujë të pijshëm dhe instalimet tjera të ujit të pijshëm të kalojnë nëpër pusetat e kanalizimit në pronën e konsumatorit.

“Distanca horizontale në mes të gypave të ujësjellësit dhe gypave të kanalizimit duhet të jetë së paku njëqind metra, matur nga pikat më të afërta të mureve të jashtme ndërmjet këtyre dy gypave, sipas legjislacionit në fuqi”.

Ndërsa, në të gjitha rastet kur konsumatorët i kanë në shfrytëzim edhe burimet tjera të ujit, të lidhura në rrjetin e ujësjellësit dhe nuk veprojnë sipas pikës 1 të këtij vendimi, ofruesi i shërbimeve do t’i merr masat e nevojshme ligjore për ndërprerjen e shërbimeve.

“KRU ‘Hidrodrini’ është përgjegjës vetëm për ujin nga sistemi i Ujësjellësit, me të cilin menaxhon”.