Pas plagëve të marra nga arma zjarrit vdes 26-vjeçari nga Suhareka

Një 26-vjeçar ka vdekur pas plagëve të marra nga arma zjarrit në fshatin Greikoc të Suharekës.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

“Pas marrjes së informatës, njësitë e Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, në fshatin Greikoc të Suharekës dhe në një objekt përcjellës, 20 deri në 30 metra larg shtëpisë së viktimës, është gjetur një armë AK-47 e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit dhe rasti është duke u trajtuar si “Vdekje e dyshimtë”, ka deklaruar Gashi.

Tutje ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet relevante dhe po merren me detajet e rastit.

Ndërkaq, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për procedura të mëtutjeshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Mediat lokale në Suharekë, raportojnë se viktima është Faton Haxhaj, djali i dëshmorit Haxhi Haxhaj./Zëri