LVV për PDK e LDK: Ndryshuan kryetarët por mbesin të njëjtat - tash duan ta zhvillojnë korrupsionin prej komunave
Një prej arsyeve që Lëvizja Vetëvendosje po e përmend si shkaktare të humbjes së zgjedhjeve, është edhe bashkimi i të gjitha partive kundër saj.
Në analizën që ka bërë partia e kryeministrit Albin Kurti për rezultatin e zgjedhjeve lokale, thuhet se partitë tjera u bashkuan, që sipas tyre, për të vazhduar korrupsionin, ndërsa këto zgjedhje i kanë cilësuar si mësim për ta.
“Tash, të rëndësishme janë mesazhet që qytetarët na i kanë dërguar. Këto zgjedhje kanë qenë mësim për ne. Pranojmë të nxjerrim mësime sepse politika është shkolla jonë e përhershme. Ne kemi qenë të papërsosur kundrejt bashkimit të përkryer të kapitalit. Ata të gjithë u bashkuan sepse sot bashkë ruajnë kapitalin. Garojnë në pasuri dhe bashkohen në politikë. Në të dyjat u pengon Vetëvendosja. Andaj e luftuan bashkë. Edhe heshturazi edhe zhurmshëm. Kanë mbajtur veç zgjedhjet e tyre të brendshme por janë të njëjtë për së jashtmi. Për qytetarët mbesin të njëjtë”, thuhet në analizën që ka bërë LVV-ja për zgjedhjet lokale.
Duke aluduar në PDK-në dhe LDK-në të cilat kanë fituar më së shumti komuna në zgjedhjet e fundit, LVV-ja thotë se meqë ata sot nuk mund të zhvillojnë korrupsion nga niveli qendror, të njejtit këtë do ta vazhdojnë në nivel më të ulët siç janë komunat, transmeton Zeri.info.
“Prej lartë, po duan ta zbresin më poshtë. Aty është edhe më i dëmshëm. I prek e gjymton edhe më shumë jetët e qyetarëve. Kryesisht nëpërmjet mafisë së ndërtimit. Këtu do të jetë lufta jonë dhe duhet të jemi syçelë. Sot të gjitha subjektet politike po na kopjojnë. Por na kopjojnë në metodat tona. Ata po duan të fitojnë si ne por jo të bëhen si ne. Ky është thelbi. Ne nuk kemi fituar sepse kemi protestuar por sepse kemi pasur të drejtë. Ne nuk jemi të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit për metodat tona por për kauzat tona. Andaj, ata janë në sinkron në deklarata, në metoda dhe në rreshtim. Ata e kanë pasion pushtetin, ne politikën”, thotë LVV-ja.
Pavarësisht rezultatit jo të mirë në këto zgjedhje, LVV-ja thotë se do të vazhdojë luftën pasi siç thonë ata “çlirimi ende nuk është arritur”.
“Çlirimi ende nuk është arritur e ne duhet të luftojmë për këtë. Lufta jonë është më e gjatë. Ne as nuk lodhemi, as nuk dorëzohemi. Kosova është shumë e vlefshme për t’ua lënë në duart e stërvitura për korrupsion. Urojmë më të mirën për Kosovën dhe për komunat. Qofshin ndryshime estetike apo më përmbajtësore, në pastë të tilla do t’i përgëzojmë e shijojmë. Në mungofshin do t’i kërkojmë. Shpresa jonë është e madhe. Sepse aktiviteti ynë është i përhershëm”, thuhet në analizën që LVV-ja i ka bërë rezultatit të tyre në zgjedhjet lokale ku i fitoi katër komuna.
PDK-ja duket se do t'i fitojë 9 komuna nga zgjedhjet lokale, në raport me 7 sa duket t'i ketë fituar LDK-ja. Por këto shifra mund të barazohen, në 8 me 8 për të dy partitë, në rast se ankesa e LDK-së për anulimin e votave me postë në komunën e Dragashit merr epilog pozitiv për ta. Në atë komunë, nga rezultatet preliminare të KQZ-së, kur u numëruan vetëm votat e rregullta, fituese doli PDK-ja. Por votat me kusht e rrëzuan PDK-në duke e nxjerrë fituese LDK-në. Megjithatë, PDK-ja u ankua në PZAP me arsyetimin se zarfet e ardhura nga diaspora ishin të manipuluara. PZAP-ja e mbështeti ankesën e kësaj partie dhe komuna iu rikthye PDK-së. /Zëri