Hyseni e pranon humbjen në Podujevë, por nuk e uron Bulliqin
Kandidati i LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyesni ka pranuar humbjen në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Hyseni ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor, ndërsa ka pranuar se nuk arriti të fitojë këtë betejë.
“Të dashur qytetarë, dua t’u falënderoj të gjithëve për pjesëmarrje në këtë proces zgjedhor. Unë ju kam shërbyer për vite me radhë në forma të ndryshme dhe bashkë kemi fituar shumë beteja, por këtë nuk arritëm. Pavarësisht kësaj, unë do të vazhdoj të jem pranë jush. Do të vazhdoj t’ju shërbej, sepse kjo është në natyrën time”, ka shkruar Hyesni.
Ai ka premtuar mbështetësit se nuk do t’i braktisë dhe do të rikthehet edhe më i fuqishëm, ndërsa në shkrimin e tij, ai nuk e ka uruar Shpejtim Bulliqin e LVV-së, i cili fitoi në këto zgjedhje me 51.84% të votave.
Vetë Bulliqi, pas shpalljes së rezultateve nga KQZ-ja, shkroi: “Vullneti qytetar nuk përmbyset nga paratë e pista. Kjo fitore i dedikohet të gjithë qytetarëve të ndershëm e punëtorë të Llapit e Gollakut”. /Zëri